Një seancë e jashtëzakonshme e Këshillit të Sigurimit të OKB-së ka trajtuar vendimin e Kosovës për ndalimin e dinarit serb. Në seancën e kërkuar nga Serbia, kryeministri i Kosovës Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq përballën argumentet rreth këtij vendimi.
Presidenti serb Aleksandar Vuçiq i tha Këshillit të Sigurimit të OKB-së se ndalimi i dinarit është në vazhdën e masave të Qeverisë së Kosovës “kundër popullatës serbe”.
“Edhe një herë theksojmë se vendimi për heqjen e qarkullimit të dinarëve, gjegjësisht heqjen e dinarëve si mjet ligjor pagese në territor, është vetëm një nga një sërë masash të planifikuara, të mirorganizuara, të zbatuara gjatë dhe sistematike nga Prishtina që sulmojnë kryesisht popullatën serbe”, tha Vuçiq.
Ai shtoi se Prishtina synon të krijojë kushte "të padurueshme" të jetesës dhe të dëbojë serbët nga territori.
Vuçiq po ashtu i bëri thirrje Këshillit të Sigurimit që të marrë masa “urgjente dhe vendimtare” për të normalizuar situatën në Kosovë dhe për të krijuar kushte për vazhdimin e dialogut ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës.
Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, nga ana tjetër, tha se dekreti nuk e ndalon ose pengon Serbinë që të ofrojë mbështetje financiare për serbët e Kosovës.
“Rregullorja synon vetëm të sigurojë transparencën dhe ligjshmërinë e parave të gatshme të importuara në Kosovë, në përputhje me Kushtetutën tonë dhe politikën monetare të Bashkimit Evropian”, tha Kurti, duke shtuar se Banka Qendrore e Kosovës është e përkushtuar që të sigurojë që serbët e Kosovës të jenë në gjendje të marrin mbështetje financiare "të vazhdueshme dhe të pandërprerë" nga Serbia.
"Qeveria jonë është plotësisht e përkushtuar për të siguruar një tranzicion të qetë me kohë të mjaftueshme të investuar në arsim dhe informacion, në vend që të vendosë ndëshkime për mospërputhje," shtoi ai.
Kurti tha gjithashtu se me këtë vendim është goditur financimi i grupeve kriminale nga Serbia, të ushtrojnë presion dhe kërcënojnë serbët lokalë.
“Qytetarët tanë serbë përballen me frikësim nga grupet kriminale që diktojnë veprimet e tyre nga protestat deri te votimi. Mosbindja rezulton në dhunë, djegie të veturave ose kërcënime të anëtarëve të tyre të familjes. Kjo duhet të ndalojë. Beogradi nuk duhet të lejohet që pafundësisht të financojë këta kriminelë dhe terroristë në Kosovë me dërgesa të padeklaruara të parave, që qarkullojnë lirshëm dhe në mënyrë të paligjshme për në shtetin tonë. Ky është burimi i histerisë së Beogradit për këtë rregullore bankare”, tha Kurti.
Në Këshillin e Sigurimit të OKB-së u fol edhe për sulmin në Banjskë. Komuniteti ndërkombëtar kërkoi nga Serbia që të mbajë përgjegjës organizatorët e vetëdeklaruar të sulmit, të cilët po shëtiten në liri në Serbi.