Organizata gjermane, Friedrich-Ebert- Stiftung (FES) në partneritet me Institutin Evropian për Paqe (EIP) ka publikuar një draft-statut të Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë. Me këtë rast u tha se drafti është hartuar në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës.
Sipas draftit, asociacioni do të ketë simbolet e veta të dizajnuara nga bordi i Asociacionit në përputhje me ligjet dhe me Kushtetutën e Kosovës.
Sipas këtij drafti statuti i Asociacionit/Bashkësisë është akti më i lartë juridik i Asociacionit/Bashkësisë i cili do të miratohej nga një kuvend themelues i Asociacionit/Bashkësisë, i përbërë nga anëtarët e votuar të kuvendeve komunale të komunave pjesëmarrëse në përputhje me Ligjin për Ratifikimin e Marrëveshjes së Parë dhe Kushtetutën e Republikës së Kosovës.
Përpos statutit, drafti i këtij statuti parasheh që Asociacioni/Bashkësia të ketë edhe trupa si: Kuvendi i Asociacionit/Bashkësisë; Kryetar i Asociacionit/Bashkësisë; Nënkryetar i Asociacionit/Bashkësisë; Këshilli i Asociacionit/Bashkësisë; Bordi i Asociacionit/Bashkësisë, dhe Zyra për Ankesa dhe Parashtresa e Asociacionit/Bashkësisë
“Pikënisje për diskutime, asgjë më pak ose më shume, ky është vetem starti. Duhet të bëjmë përpjekje, gjatë këtij procesi të normalizimit të mardhëdhënieve ka pasur shumë raste që është dashur të bëhen drafte të shpejta. Objektivi ynë ka synim lehtësimin e diskutimeve duke u bazuar në propozimin konkret. Nuk ka pasur shumë progres, deri sot askush nuk ka prezantuar një propozim konkret”, tha Rene Schlee nga Friedrich-Ebert-Stiftung.
Egzon Osmanaj nga FES ka thënë se hartimi i draftit ka filluar më intensivisht në pjesën e dytë të vitit 2022 dhe se është punë ekskluzive e punës së organizatës FES në partneritet me EIP.
“Qëllimi është të kontribuojnë për të ndihmuar procesin e normalizimit ndëmrjet dy vendeve. Pjesa më e madhe e procesit është bërë jashtë syve të publikut me qëllim që kontribuesit të ndihen të lirë dhe pa presion që të ofrojnë idetë e tyre, në mënyrë të pandikuar”, deklaroi ai.
Mes të tjerash, ai shtoi se drafti është bazuar në terminologjinë ekzistuese të kuadrit ligjor dhe Kushtetutës së Kosovës.
Në këtë diskutim ka marrë pjesë edhe Sami Kurteshi nga Lëvizja Vetëvendosje.
“U tha që nuk është njëetnike, por nuk u dëgjua për ndonjë komunitet tjetër përveç komunitetit serb, nëse nuk është njëetnike, pse nuk u tha askund që kemi goranë, turq…”, ka thënë Kurteshi.
“Cila është baza e këtij teksti në këto dokumente. Dokumentet që kanë karakter ndërkombëtar duhet të kenë një bazë në dokumentet ndërkombëtare”, ka shtuar ai.
Apelet për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe muajve të fundit janë shpeshtuar nga faktori ndërkombëtar. Nga ana tjetër, drejtuesit e Qeverisë së Kosovës, në krye me kryeministrin Albin Kurti, kanë theksuar se Asociaconin nuk e ka kaluar testin e Gjykatës Kushtetuese.
Publikimi i këtij drafti po bëhet një ditë para diskutimit për Asociacionin në Ambasadën Amerikane në Prishtinë, ku kjo e fundit ka ftuar përfaqësues të shoqërisë civile, qeverisë e përfaqësuesve politikë që të diskutojnë për ketë temë.