Partia kryesore opozitare në Greqi akuzoi Qeverinë për shpërfillje të Kushtetutës dhe normave demokratike në skandalin e përgjimit që po zgjerohet me zbulime të reja që nga prilli.
SYRIZA-PS i bëri thirrje kryeministrit Kyriakos Mitsokakis të japë dorëheqje, ose do të përballet me pasoja politike dhe penale. Kjo vjen pasi gazeta Documento publikoi zbulime të reja të dielën, sipas të cilave është përgjuar edhe ish-shefi i policisë kombëtare Michalis Karamalakis, aktualisht sekretar i përgjithsëm i Mbrojtjes së Qytetarëve, si dhe prokurorë të lartë publikë.
“Deri sa Mitsotakis vazhdon të fshihet dhe ndërron zëvendësit nga Komiteti Institucional i Parlamentit me qëllim që përgjegjësinë e tij ta mbajë të fshehur, zbulime të reja shokuese po vijnë nga Documento çdo ditë”, thuhet në deklaratën e SYRIZA-s.
Kjo parti thotë se kryeministri përbën kërcënim ekzistencial ndaj demokracisë greke.
“Mitsotakis nuk akuzohet më për monitorimin e kundërshtarëve, por për organizimin dhe realizimin e një diversioni të paprecedentë kushtetues dhe demokratik”, thuhet më tej në deklaratë.
Saskia Bricmont, anëtare e komitetit PEGA të Parlamentit Evropian, i cili vizitoi Greqinë së fundmi lidhur me skandalin e spiunazhit, tha se komiteti është i shqetësuar se ka lidhje mes anëtarëve të Qeverisë dhe Intellexa-s, një kompani që e shet spyware-in izraelit Predator në Greqi.
“Zyrtarët e qeverisë greke nuk na u përgjigjën kur u pyetën pse ky spiunazh po ndodh dhe pse nuk ka një hetim të pavarur”, tha Bricmont në intervistë me Naftemporiki.
“Z. Mitskotakis duhej të jepte dorëheqje tashmë. Në fund të fundit, e dimë se, sapo e mori pushtetin, i vendosi shërbimet sekrete nën kontrollin e tij. Duket se edhe anëtarët e qeverisë po monitoroheshin”, shtoi ajo.
Në listën e re të publikuar nga gazeta "Documento" në mesin e atyre për të cilët pretendohet se janë përgjuar me programin spiun janë përfshirë shumë emra mes të cilëve edhe prokurorja përgjegjëse për Shërbimin Informativ Grek, Vasiliki Vlachou, ministrja e Arsimit dhe Çështjeve Fetare, Niki Kerameus dhe zëdhënësi i Qeverisë së Greqisë, Giannis Oikonomou.
Ndryshe, skandali i përgjimeve në Greqi doli për herë të parë më 4 gusht, kur Panagiotis Kontoleon, në atë kohë kreu i Shërbimit Informativ Kombëtar (EYP), deklaroi para Komisionit parlamentar se Agjencia e Inteligjencës kishte spiunuar gazetarin financiar, Thanasis Koukakis.