Osmani-Pistorius: Gjermania me trupa shtesë të KFOR-it në Kosovë. / Foto: AA

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur në Prishtinë në një takim ministrin e Mbrojtjes të Gjermanisë, Boris Pistorius.

Në një konferencë të përbashkët për media, Osmani dhe Pistorius u ndalën te zhvillimet e periudhës së fundit në Kosovë, gjegjësisht tek aspekti i sigurisë.

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani tha se hetimet zyrtare për sulmin në Banjskë dëshmojnë se Serbia është prapa tyre, ndërsa u shpreh se për t’i parandaluar këto në të ardhmen nevojitet përkrahja e Gjermanisë.

“Gjermania ka qëndruar pranë nesh jo vetëm në periudhë të rënda, por edhe në procesin e shtet ndërtimit, përderisa vazhdojmë ta forcojmë demokracinë dhe pozitën tonë ndërkombëtare. Gjermania ka rol kyç në sigurinë e Kosovës. Vendimi për rritjen e trupave ushtarake gjermane në Kosovë është reflektim i qartë i mbështetjes për popullin tonë”, tha Osmani.

Në anën tjetër, ministri i Mbrojtjes i Gjermanisë, Boris Pistorius, nënvizoi nevojën për maturi dhe kujdes që të mos nxiten tensione të reja, derisa shtoi se ata do të forcojnë edhe më tej kontigjentet gjermane në Kosovë në kuadër të KFOR-it.

"KFOR-i është garantues për stabilitet dhe siguri. Stabiliteti i Kosovës dhe rajonit është i një rëndësi të veçantë për ne", theksoi Pistorius.

Pistorius kërkoi po ashtu shtensionim të situatës mes Kosovës dhe Serbisë duke bërë thirrje për rikthim në dialog.

TRT Balkan / agjencitë