Parlamenti Evropian ka dhënë miratimin që Kroacia të përfshihet në zonën Schengen të udhëtimit pa viza në Evropë.
Raporti i përgatitur në parlament lidhur me çështjen, u miratua me 534 vota pro dhe 53 kundër. Në këtë mënyrë Parlamenti Evropian ka miratuar heqjen e kontrolleve të kufijve të brendshëm mes Kroacisë dhe anëtarëve të zonës Schengen.
"Shengeni e ka pritur Kroacinë. Populli kroat e ka pritur dhe tani ka ardhur ai moment", tha raportuesi për hyrjen e Kroacisë në zonën Schengen, Paulo Rangel, në debatin e Parlamentit Evropian për këtë çështje.
Nënkryetari i Komisionit Margaritis Schinas theksoi se Kroacia, Bullgaria dhe Rumania meritojnë dhe përmbushin gjithçka që është e nevojshme për të hyrë në zonën më të madhe pa kontrolle të kufijve të brendshëm në botë.
"Tani është koha që BE-ja të bëjë atë që duhet të bëjë dhe të thotë vetëm një fjalë: mirë se erdhe", tha Schinas, duke theksuar se zona Schengen është "xhevahiri në kurorën" e integrimit evropian.
Ai theksoi se Kroacia i kaloi të gjitha vlerësimet dhe testet me "notat më të mira", dhe vlerësoi veçanërisht krijimin e një mekanizmi të pavarur për monitorimin e veprimeve të policisë në kufi.
Këshilli Evropian më 9 dhjetor 2021 njoftoi se Kroacia ka përmbushur kushtet e nevojshme për anëtarësim në Schengen.
Parlamenti në raportin e miratuar i bëri thirrje Këshillit Evropian të vazhdojë procesin dhe të japë vendimin përfundimtar lidhur me heqjen e kontrolleve kufitare.
Vendimi përfundimtar lidhur me çështjen duhet të merret unanimisht nga Këshilli Evropian i cili përbëhet nga vendet e Bashkimit Evropian.
Aktualisht në zonën Schengen ndodhen 26 vende, të cilat në përjashtim të Bullgarisë, Rumanisë, Kroacisë, Administratës së Qipros Greke dhe Irlandës, përfshijnë vendet anëtare të BE-së si dhe Norvegjinë, Islandën, Zvicrën dhe Lihtenshtajnin që nuk janë anëtare të BE-së. Zona Schengen funksionon vetëm me kufij të jashtëm, pa kufi mes shteteve anëtare.
Parlamenti Evropian ka dhënë mbështetjen që zonës Schengen t'i bashkohet edhe Bullgaria dhe Rumania.
10 Nën 2022
Parlamenti Evropian votoi për futjen e Kroacisë në zonën Schengen
Me 534 vota pro, 53 kundër dhe 25 abstenime, Parlamenti Evropian miratoi që Kroacia të bëhet anëtare e plotë e zonës Schengen nga 1 janari 2023.
TRT Balkan / agjencitë
Lajme të ngjashme
Artikujt në këtë kategori
Çfarë tjetër do të donit të dinit?
Popullore