Përmbytjet në Slloveni: Dëmet materiale vlerësohen në 500 milionë euro / Foto: AA

Sllovenia i kërkoi Bashkimit Evropian dhe aleancës ushtarake të NATO-s ndihmë teknike për të riparuar dëmet pas përmbytjeve shkatërruese dhe rrëshqitjeve të dheut të tri ditëve të fundit, njoftoi agjencia sllovene e lajmeve STA duke cituar qeverinë.

Të shtunën, kryeministri Robert Golob i kishte përshkruar përmbytjet si ”fatkeqësinë më të madhe natyrore të tri dekadave të fundit” dhe vlerësoi dëmin total në më shumë se 500 milionë euro.

Rrugët, hekurudhat, urat, sistemet e ujërave të zeza dhe ndërtesat janë dëmtuar.

Nëpërmjet Mekanizmit të Mbrojtjes Civile të BE-së, Sllovenia kërkoi 30 ekskavatorë të kapaciteteve të ndryshme dhe 30 automjete speciale për rregullimin e rrjedhave ujore si dhe dërgimin e ekipeve inxhinierike për të gjitha këto pajisje.

Lista e dëshirave për BE-në dhe NATO-n përfshinte gjithashtu 20 ura të parafabrikuara deri në 40 metra secila.

Vendi i kërkoi NATO-s pesë helikopterë të rëndë ushtarakë me një kapacitet ngarkese prej të paktën pesë tonësh për transport, si dhe 200 ushtarë për të kryer detyrat e mbrojtjes, shpëtimit dhe ndihmës.

ATA