Më datë 01.06.2023, në veri të Mitrovicës janë sulmuar dy qytetar meshkuj kosovarë, të cilët kanë qenë duke qëndruar në hyrje të sheshit në veri të Mitrovicës.
“Viktimat janë sulmuar nga një grup kriminelësh të cilët kanë qenë të maskuar dhe të organizuar për sulmin e kryer”, thuhet në njoftimin e policisë së Kosovës.
Njësitet policore kanë intervenuar menjëherë për të parandaluar sulmin, përderisa personat e dyshuar kanë ikur në drejtime të ndryshme të qytetit të veri të Mitrovicës.
“Si pasojë e sulmeve dy viktimat kanë pësuar lëndime trupore dhe të njëjtit janë dërguar për trajtim mjekësor”, njofton policia e Kosovës.
Ashtu siç thuhet më tutje në komunikatën e organeve policore të Kosovës, aktet e tilla kriminale nuk i shërbejnë sigurisë dhe qetësisë publike, por iu shërbejnë vetëm individëve ose grupeve të caktuara kriminale, andaj Policia e Kosovës do të vazhdojë angazhimet e saj policore, me qëllim të parandalimit, hetimit dhe ofrimit të sigurisë ndaj të gjithë qytetarëve në nivel vendi.