Policia e Kosovës sekuestron municion në Banjskë / Foto: AA

Në fshatin Banjskë të Mitrovicës, njësia policore e Kosovës ka gjetur dhe sekuestruar një flamur të Serbisë, 34 gëzhoja, një karikator të armës AK-47 dhe 689 fishekë kalibrash të ndryshëm.

Në raportin 24-orësh të policisë së Kosovës thuhet se nuk ka të arrestuar, ndërsa rasti është nën hetime.

“Njësia policore gjatë patrullimit në afërsi të një kodre ka gjetur dhe ka sekuestruar një flamur të shtetit të Serbisë, 34 gëzhoja, një karikator të armës AK-47 dhe 689 fishekë kalibrash të ndryshëm. Nuk raportohet për të arrestuar. Rasti nën hetime”, thuhet në komunikatën e policisë.

Pikërisht në Banjskë, Policia e Kosovës ishte cak i një sulmi më 24 shtator të vitit të kaluar nga një grup prej dhjetëra personash të armatosur rëndë. Në përleshje humbi jetën polici Afrim Bunjaku. Gjatë aksionit të policisë, tre pjesëtarë të grupit u vranë dhe tre të tjerë u arrestuan, ndërsa pjesa tjetër e grupit u largua drejt Serbisë. Policia konfiskoi armatim të rëndë dhe municion menjëherë pas sulmit.

TRT Balkan / agjencitë