Presidenti i Kroacisë, Zoran Millanoviq, tha sot se Perëndimi “e rrëmbeu” Kosovën nga Serbia, duke folur në kontekst të luftës Rusi-Ukrainë. Ai u tha gazetarëve se është e qartë se Krimea nuk do të jetë kurrë më Ukrainë, ndërsa rusët “cinikë”, sipas tij, do t'i referohen aneksimit të Kosovës.
“Kush e aneksoi Kosovën? Bashkësia ndërkombëtare dhe ne. Ajo është marrë nga Serbia. Nuk është aneksim, por rrëmbim, një pjesë e territorit që është rrëmbyer nga Serbia. Si quhet? Ekstrakcion. Kjo nuk është futje në çështjet e Kosovës, por i gjithë koncepti në të cilin dikush mendon se ka të drejtë në gjithçka kur i përshtatet, dhe kur tjetri e bën atë - atëherë është një krim”, tha Millanoviq.
Millanoviq përsëriti të hënën se është kundër dërgimit të armëve në Ukrainë. Sipas tij, përveçse duke dërguar ndihma humanitare në Ukrainë dhe duke dënuar agresionin, Kroacia nuk duhet të jetë pjesëmarrëse në konflikt.
"Kjo është thellësisht e pamoralshme që ne po bëjmë si Perëndim kolektiv, i cili në thelb nuk ekziston sepse nuk ka zgjidhje. Zgjidhja nuk është ndryshimi i qeverisë në Rusi. Tanket gjermane do të homogjenizojnë më tej rusët. Ata do t'i afrojnë ata me kinezët", tha Millanoviq.
Presidenti kroat tha gjithashtu se Serbia dhe Rusia nuk janë të njëjta, pasi nuk ka kuptim që Serbia të krahasohet me një fuqi bërthamore.
"Derisa të kuptoni se Serbia dhe Rusia nuk janë njësoj, se Gjermania dhe Rusia nuk janë njësoj. Se asnjë vend tjetër, përveç Rusisë dhe ShBA-së, nuk është i njëjtë. Se ky është fatkeqësisht një fakt i dhimbshëm dhe një rrezik”, u tha Millanoviq gazetarëve, pasi dërgoi kontingjentin e tretë kroat në Lituani.