Prezantohet autobusi i parë me hidrogjen në Zagreb të Kroacisë.     Foto: AA

Para Muzeut Teknik Nikola Tesla në Zagreb të Kroacisë, u prezantua autobusi i parë me hidrogjen, të cilin qytetarët do të kenë mundësinë ta shohin në xhiro të veçanta në rrugët e kryeqytetit.

Qëllimi i qytetit të Zagrebit është të rinovojë flotën dhe automjetet e Tramvajit Elektrik të Zagrebit (ZET) me automjete që kanë emetim të ulët ose zero të karbonit.

Kështu, në vitin 2024 është planifikuar futja e rreth 20 automjeteve me hidrogjen në transportin publik, së bashku me dy pikat e mbushjes me hidrogjen. Qëllimi është dekarbonizimi i bërthamës së qendrës së qytetit, duke ndjekur shembullin të cilin e kanë praktikuar qytetet evropiane.

Frano Barbir, kryetar i Shoqatës Kroate të Hidrogjenit, theksoi se hidrogjeni është një lëndë djegëse që nuk krijon asnjë emetim serrë.

"Ne përdorim hidrogjenin në makina dhe autobusë duke prodhuar nga ai energji elektrike për motorin elektrik, që është diçka e ngjashme me makinat elektrike, përveç që energjia elektrike ruhet në hidrogjen dhe jo në bateri", tha Barbir.

Ai shtoi se ky projekt i automjeteve me hidrogjen në Evropë është ende në fazën përgatitore dhe se rreth dyqind autobusë të tillë qarkullojnë në disa qytete të caktuara evropiane.

Përparësitë kryesore të autobusëve me hidrogjen janë koha e shkurtër e karikimit, një gamë e gjerë ngasje, ngasje pa zhurmë, dridhje dhe pa emetim të gazrave serrë. Gjatë përdorimit të hidrogjenit në automjet, i vetmi nënprodukt është uji.

Qytetarët e Zagrebit do të kenë mundësinë të shohin autobusin e parë me hidrogjen në rrugët e Zagrebit, ndërsa sot autobusi është ekspozuar para Muzeut Teknik Nikolla Teslla.

Përveç autobusit, në oborrin e Muzeut Teknik është ekspozuar edhe Mirai - makina e parë e Toyota-s me hidrogjen, në të cilën qytetarët do të mund të shëtisin në shoqërinë e automobilistit kroat Juraj Shebalj.

AA