Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj, ka deklaruar se sot është ngritur aktakuza në Gjykatën Themelore të Prishtinës për 45 të pandehurit të përfshirë në sulmin terrorist të 24 shtatorit në Banjskë.
Në një konferencë për media, Isufaj tha se për 45 të pandehurit ekziston dyshimi që kanë kryer vepra penale që lidhen me terrorizmin.
Ai shtoi se ekzaminimet që janë bërë jashtë vendit kanë ndikuar në vonesën për ngritjen e kësaj aktakuze.
Ndërkaq, prokurori Naim Abazi tha se hetimet për këtë rast kanë qenë ndër më komplekset ku janë realizuar mbi 60 intervista me dëshmitarë dhe të pandehur lidhur me rastin e Banjskës.
Ai tha se janë siguruar qindra dokumente që përmbajnë prova lidhur me këtë sulm.
Abazi potencoi se aktakuza përfshin 45 persona që kanë pasur role të ndryshme brenda gripit kriminal.
Ndër të pandehurit, ai theksoi se është edhe Millan Radojçiq.
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka mirëpritur ngritjen e aktakuzës për sulmin në Banjskë të Zveçanit, për çka tha se në vazhdimësi kanë shprehur shqetësimet për mosngritjen e kësaj aktakuze.