Prokuroria Speciale e Kosovës në vitin 2023 ka zgjidhur gjithsej 239 raste / Foto: KosovaPress

Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale të Kosovës, Blerim Isufaj ka thënë se Prokuroria Speciale gjatë vitit 2023 është përballur me raste në të cilat janë dyshuar dhe janë hetuar në mënyrë profesionale zyrtarë të lartë shtetërorë.

Isufaj tha në konferencën e fundit për media se në Prokurorinë Speciale të Kosovës në vitin 2023 janë pranuar 306 lëndë të reja, ndërsa janë zgjidhur gjithsej 239 lëndë.

“Gjatë vitit 2023, Prokuroria Speciale e Kosovës ka regjistruar gjithsej 306 lëndë, nga lëndët e pranuara për secilin departament. Departamenti për Krim të Organizuar dhe Krime të tjera 37 raste, Departamenti për Korrupsion dhe Krim Financiar 172 raste, Departamenti për Krime Lufte 46 raste dhe Departamenti për Terrorizëm 51 raste”, theksoi Isufaj.

Në konferencën vjetore u tha se gjatë vitit 2023 Prokuroria Speciale ka konfiskuar asete që rrjedhin nga aktivitetet kriminale në vlerë prej mbi 41 milionë euro.

Duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve, Isufaj ka konfirmuar se për shkak të sulmit terrorist në Banjkë të 24 shtatorit, me kërkesë të Prokurorisë Speciale të Kosovës, është lëshuar urdhër arresti për Millan Radoiçiqin, i dyshuari kryesor për atë sulm.

Ai ka komentuar edhe deklaratën e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, se prokuroria nuk ka ngritur më shumë akuza për sulmin në Banjskë, në veri të Kosovës. Ai tha se aktakuzat janë çështje e sistemit gjyqësor e jo e kryeministrit.

Radoiçiq, në kohën kur ishte nënkryetar i Listës Serbe, më herët ishte në kërkim nga Prokuroria e Kosovës për përfshirje në vrasjen e Oliver Ivanoviqit, por ai u tërhoq në mars të vitit 2021 pa asnjë shpjegim. Lidhur me këtë, Isufaj nuk ka mundur të japë më shumë detaje.

“Sa i përket çështjes së tërheqjes së urdhrit për Radoiçiqin, kjo është çështje krejtësisht e brendshme e Prokurorisë dhe të jeni të sigurt se nuk mund të ndajmë shumë detaje për opinionin rreth rasteve të cilat po i trajtojmë. Qytetarët e Kosovës duhet ta dinë se ai asnjëherë nuk ka qenë në paraburgim, fletarresti është tërhequr për një kohë dhe në ndërkohë është kthyer”, ka theksuar Isufaj.

AA