Qebapi i Sarajevës mbrohet si markë autoktone e BeH-së           / Foto: AA

Tashmë qebapi i Sarajevës mbrohet si markë, si produkt i veçantë tradicional autokton i Bosnjë e Hercegovinës, së shpejti do të vijë mbrojtja në BE, e më pas mbrojtja e somunit të Sarajevës, u njoftua sot në Sarajevë në një konferencë për media.

Kryetarja e bashkisë së Sarajevës Benjamina Kariq, nikoqire e manifestimit të sotëm në Kuvendin Komunal, theksoi se sot është një moment historik për Sarajevën. Ajo kujtoi se para dy vitesh qyteti i Sarajevës ka iniciuar procesin për mbrojtjen e qebapit të Sarajevës.

“Është shumë e rëndësishme të markojmë gjithçka që është jona. Qebapi i Sarajevës tani mbrohet si markë, mbrohet si produkt i veçantë tradicional autokton i Bosnjë e Hercegovinës. Ajo që është e rëndësishme është që pas mbrojtjes së qebapit të Sarajevës si markë në BeH, do të vijë mundësia për të mbrojtur vetë qebapin në Bashkimin Evropian. Ne mund të njoftojmë menjëherë se do të ndërmarrim veprime për të mbrojtur somunin e Sarajevës”, tha Kariq.

Ajo theksoi se si kryetare komune është krenare dhe mirënjohëse për gjithë ekipin që ka punuar në këtë projekt, veçanërisht për mbështetjen e USAID-it.

“Ne do të vazhdojmë të ruajmë me krenari atë që është jona, ajo që është tradicionale, sepse kjo është më e mira që kemi”, tha Kariq.

Drejtoresha e misionit të USAID-it në Bosnjë e Hercegovinë, Courtney Chubb, gjatë fjalimit të saj u shpreh e kënaqur që qebapi i Sarajevës mbrohet si markë.

“Qebapi i Sarajevës, përveç që është jashtëzakonisht i shijshëm, është edhe një pjesë kyç e ofertës turistike dhe gastronomike të këtij qyteti. Asnjë udhëtim në Sarajevë nuk është i plotë pa shijuar këtë delikatesë lokale. Si amerikan që jeton prej disa vitesh në Sarajevë, kam pasur fatin të pres shumë nga miqtë e mi në këtë qytet dhe, përveçse jam entuziast për Sarajevën, gjëja e parë që bëjmë kur vijnë këtu është të shkojmë në një qebaptore, sepse, nëse nuk kanë provuar qebap, atëherë nuk e kanë ndier gjithë shpirtin e Sarajevës”, tha Chub.

Nëpërmjet turizmit, USAID-i ndihmon prodhuesit në mbarë Bosnjë e Hercegovinën të mbrojnë produktet e tyre si trashëgimi kulturore dhe produkte ushqimore të sigurta.

Xhemil Hajriq, drejtor i Agjencisë së Sigurisë Ushqimore të BeH-së, vuri në dukje se i gjithë procesi zgjati rreth dy vjet dhe rezultoi në miratimin e Këshillit të Ministrave të Bosnjë e Hercegovinës të një sërë kornizash legjislative dhe ligjore, të cilat mundësonin dhe hodhën themelet për Propozimin e Agjencisë për Sigurinë e Ushqimit për një fillim të fuqishëm të procesit të mbrojtjes së shenjave të origjinës gjeografike dhe mbrojtjes së shenjave të reputacionit tradicional të ushqimit në Bosnjë e Hercegovinë.

Ai shtoi se ky proces ofron edhe mundësi për të parandaluar çdo lloj abuzimi, duke pasur parasysh se kemi qenë dëshmitarë se qebapi i Sarajevës nuk prodhohet në rajonin e Sarajevës dhe se ai shitet në gjithë Bashkimin Evropian.

“Me këtë proces, kur ta mbrojmë në nivel të Bashkimit Evropian, do të jetë e pamundur dhe sigurisht me këtë do të hapim edhe një mundësi më të madhe për vendosjen e këtyre produkteve jo vetëm në qebaptoret tona, por edhe për mundësinë e biznesit dhe prodhimit dhe eksportit të qebapëve në tregun kërkues të Bashkimit Evropian”, ka përfunduar Hajriq.

Mbrëmë para Xhamisë së Bashçarshisë u bë shpërndarja e qebapit për të gjithë qytetarët dhe mysafirët e Sarajevës.

TRT Balkan / agjencitë