Konsultimet dhe koordinimet vazhdojnë, por ura duhet të hapet, ka njoftuar Qeveria e Kosovës pas takimit të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, me ambasadorët e vendeve të Kuintit dhe ambasadorin e Bashkimit Evropian në Kosovë.
Qeveria e Kosovës ka bërë të ditur se mbledhja e sotme është mbajtur saktësisht tetë vjet pas bisedimeve që u mbajtën më 2 gusht 2016 në Bruksel lidhur me zbatimin e Marrëveshjes për Urën në Mitrovicë në kuadër të dialogut në Bruksel, e cila u pasua nga Plani i Bashkimit Evropian për hapjen e urës në Mitrovicë për këmbësorë dhe automjete në të dy drejtimet.
Planin e Qeverisë për hapjen e urës mbi lumin Ibër, Kurti e prezantoi para përfaqësuesve diplomatikë të vendeve të Kuintit dhe BE-së.
“Plani parashikon testime të stabilitetit infrastrukturor të urës, vlerësim të rreziqeve nga fatkeqësitë natyrore, rivitalizimin vizual të urës me akses në urë për të gjithë, biseda me qytetarët dhe grupet e interesit, si dhe një fushatë gjithëpërfshirëse informuese për përfitimet dhe synimet e hapjes së urës”, thuhet në njoftimin e Qeverisë.
U theksua se konsultimet dhe koordinimet vazhdojnë, por se ura duhet të hapet.
"Ura duhet të hapet. Ajo është në shërbim të të gjithëve dhe kundër askujt. Liria e lëvizjes dhe shteti ligjor nuk kërcënojnë paqen dhe sigurinë, përkundrazi. Ura është simbol i lirisë së lëvizjes, e cila është vlera bazë dhe liria e Bashkimit Evropian. Ura është simbol i integrimit, që është puna e përbashkët e Kosovës me partnerët tanë. Qeveria është për lëvizjen e lirë dhe integrimin e qytetarëve.
Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier, pas takimit me kryeministrin Kurti, ka deklaruar se qeveritë e vendeve të Kuintit, por edhe Aleanca Veriatlantike nuk e përkrahin vendimin e Qeverisë për hapjen e urës në Ibër.
“Ne, përfaqësuesit e Francës, Gjermanisë, Italisë, Britanisë së Madhe, SHBA-së, së bashku me BE-në në Kosovë, u takuam me kryeministrin Kurti për ta informuar se qeveritë tona në konsultim me NATO-n nuk mund të mbështesin asnjë ndryshim të statusit aktual të urës në Mitrovicë për momentin”, tha Hovenier në një deklaratë të shkurtër për media.
Në takimin me Kurtin, i cili shoqërohej nga zëvendëskryeministri i parë Besnik Bislimi dhe ministri i Brendshëm Xhelal Sveçla, ishin ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës Jeffrey Hovenier, ambasadori francez Olivier Guerot, ambasadori italian Antonello De Rio, shef i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog, Zëvendës Ambasadori i Britanisë së Madhe Paul O'Connor dhe Zëvendës Ambasadori i Gjermanisë Matthias Conrad.