Qeveria e Kosovës në mbledhjen e saj të fundit ka ndryshuar dhe plotësuar vendimin e saj për vendosjen e masave kufizuese kundër grupit rus të mercenarëve Wagner.
Siç u bë e ditur nga Qeveria e Kosovës, sipas ndryshimit dhe plotësimit, Qeveria e Kosovës do t’i zbatojë sanksionet kundër grupit Wagner të vendosura nga ShBA-ja, e cila në janar e shpalli Wagner-in si “organizatë të rëndësishme kriminale transnacionale”.
Në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës, kryeministri i Kosovës Albin Kurti tha se ky grup mercenarësh, po “kërcënon dhe minon sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës”.
Ndërkaq, zv/kryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, i cili prezantoi para kabinetit qeveritar këtë kërkesë, tha se pushtimi i Rusisë kundër Ukrainës, që nisi në shkurt të vitit 2022, “ka hasur në rezistencën e shtetit dhe popullit të Ukrainës", por është dënuar nga shtetet demokratike.
“ShBA-ja, përkatësisht Departamenti amerikan i Thesarit për kontrollin e pasurive të huaja më 26 janar të këtij viti ndërmori masa kufizuese ndaj grupit Wagner si një organizatë kriminale transnacionale, duke përfshirë edhe rrjetin mbështetës global të Wagner-it, sektorin ushtarak të Rusisë dhe miqtë e Putinit. Këto sanksione u ndërmorën për të degraduar kapacitetet e Federatës Ruse për të zhvilluar luftë kundër Ukrainës, duke sanksionuar edhe tetë individë, 16 subjekte dhe katër avionë", tha Bislimi.
Ai më tej tha se për këto arsye Ministria e Punëve të Jashtme dhe e Diasporës e Kosovës propozon plotësim-ndryshimin e vendimit të Qeverisë së Kosovës (të 16 majit 2022) për zbatim të sanksioneve ndërkombëtare të vendosura nga ShBA-ja, e që zbatohen nga ana e Republikës së Kosovës në raport me obligimet ndërkombëtare kundër grupit Wagner si dhe ndaj bashkëpunëtorëve të tyre.
Më pas kabineti qeveritar e miratoi plotësimin e vendimit të 16 majit të vitit 2022, që parashihte sanksione ndaj Wagner-it bazuar në një vendim të Këshillit të Bashkimit Evropian.
Ndryshe, krerët e Kosovës, vitin e kaluar hodhën dyshime se në barrikadat e vendosura nga komunitetit serb në veri të vendit ka edhe pjesëtarë të grupit mercenar rus Wagner.