Pak ditë pasi Sllovenia u godit nga fatkeqësia më e rëndë natyrore në historinë e saj, qytetarët me ndihmën e shërbimeve shtetërore po punojnë për riparimin e dëmeve, në mënyrë që jeta të kthehet në normalitet sa më shpejt.
Pjesë të shembura rrugësh, ndërtesa banimi dhe biznesi të dëmtuara, makina të shkatërruara janë ende të dukshme në komunat sllovene Nazarje dhe Ljubno, në provincën e Steierska.
Derdhja e lumenjve Dreta dhe Savinja në zonën e Nazarjes morën gjithçka përpara, ashtu që ushtria, mbrojtja civile, zjarrfikësit dhe vetë qytetarët po ndihmojnë në pastrimin e pasojave të përmbytjeve të rrëmbyeshme.
Jozef Prazik jeton pranë Nazarjes. Siç tha ai për gazetarin e Anadolus, përmbytja e rrëmbyeshme e çoi ndërtesën e stacionit të autobusit në disa dhjetëra metra nga pozicioni i saj origjinal.
Pastrimi do të zgjasë me javë
Sipas banorit të Nazarjes, Josef Prazik, vërshimet kanë bllokuar plotësisht qarkullimin për disa ditë, dëmet janë të mëdha, ndërsa prej pesë ditësh po punohet për riparimin e dëmeve.
Katja Gorjanc është pjesëtare e njësisë vullnetare të zjarrfikësve nga Kranj dhe ka ardhur në Nazarje me kolegët e saj për të ndihmuar popullatën vendase.
Sipas saj, dëmet janë të mëdha dhe procesi i pastrimit do të zgjasë me javë të tëra.
Ekipi i Anadolus ka takuar Istok Vrtaçiqin para një prej objekteve hotelierike në Nazarje, ku po punon për riparimin e dëmeve të shkaktuara në pajisje dhe inventar.
“Ky është një problem për gjithë Slloveninë, jo vetëm për ne. Nëse nuk arrijmë të marrim ndihmë nga Brukseli, nuk e di si do të jetë, sepse edhe fabrikat janë të dëmtuara. Në këtë Savinjska Dolinë kemi 16 mijë njerëz dhe dy fabrika të dëmtuara. Nëse këto fabrika nuk e kthejnë prodhimin, atëherë të gjithë jemi të mbaruar në këtë luginë”, tha Vrtaçiq.
Dy të tretat e territorit të prekur nga përmbytjet
"Sllovenia është përballur me fatkeqësinë më të keqe natyrore në historinë e saj," tha më parë kryeministri Robert Golob, pasi përmbytjet shkatërruese shkaktuan dëme të vlerësuara në gjysmë miliardë euro.
Në përmbytjet shkatërruese që përfshiu Slloveninë javën e kaluar, gjashtë persona vdiqën, rrugë, ura dhe shtëpi u shkatërruan. Dy të tretat e territorit të vendit janë të prekura.