Radioja kroate Vukovar, zëri i së vërtetës nga bodrumi në vitin 1991. / Photo: AA

Kur përmendet rezistenca e qytetarëve të Vukovarit në vitin 1991, kjo sjell në kujtime zërin e gazetarëve dhe redaktorëve të guximshëm të Radios kroate të Vukovarit, të cilët me këmbëngulje deri në ditën e fundit dërgonin raportime nga qyteti i rrethuar.

Ky ishte ekipi që mblidhte informacione në kohën e granatimit, duke ecur nëpër qytet dhe duke rrezikuar jetët e tyre dhe e gjithë kjo me qëllim që pjesa tjetër e Kroacisë të ketë një fotografi më të plotë rreth zhvillimeve të fundit në Vukovar.

Ata ishin zëri i vetëm që dëgjohej nga Vukovari. Prej tyre jetën humbën Sinisha Glavasheviq, Vladimir Levar, Stjepan Peniq, Branimir Polovina dhe Zdenko Purgar. Zëri i fundit i radios legjendare u dëgjua më 18 nëntor 1991, kur edhe ra qyteti.

Drejtori i Radios kroate Vukovar, Robert Rec, tha se Radioja kroate Vukovar u themelua në vitin 1957.

"Fillimisht quhej Radio Vukovar dhe konsiderohet radio stacioni më i vjetër i hapur në Kroaci, e që ishte jashtë sistemit të Radio Televizionit të Kroacisë. Radioja, e cila funksionoi që nga themelimi e deri në vitin 1991 kryesisht kishte orientim proserb dhe emetonte kryesisht muzikë turbo-folk, shpeshherë muzikë provokative. Makineria propaganduese brenda Radio Vukovarit të asaj kohe ishte e rrezikshme dhe luftënxitëse", deklaroi Rac.

Radio Vukovari u bë Radio kroate Vukovar më 2 maj 1991, kur një grup i qytetarëve të revoltuar të Vukovarit u futën në zyrat e radios me qëllim që përfundimisht këtë medie lokale ta vënë nën kontrollin kroat.

"Më 2 maj 1991 ndodhi masakra e 12 policëve kroatë në fshatin Borovo. Atë natë qytetarët e Vukovarit bastisën hapësirat e radios dhe kryen puç", theksoi Rac.

Të nesërmen Ministria e Informimit e Republikës së Kroacisë lëshoi një vendim, sipas të cilit u shkarkua drejtori i atëhershëm disavjeçar dhe redaktori i përgjithshëm, ndërsa në vend të tyre vendosën emra të rinj. Radioja mori emrin e ri: Radioja kroate Vukovar.

Në atë kohë brenda Radios kroate Vukovar vëreheshin largime të punëtorëve, kryesisht të kombësisë serbe dhe u paraqitet nevoja për punonjës të rinj.

"Në radio u paraqit një nevojë e madhe për punonjës honorarë të cilët nuk kishin përvojë në gazetari, të cilët u detyruan të mësonin shumë shpejt në kushte plotësisht johumane, në dhoma bodrumi dhe në një mjedis lufte. Falë tyre e vërteta nga ferri i Vukovarit pa dritën jo vetëm në territoret e çliruara të Kroacisë, por edhe në mbarë botën. Radioja kroate Vukovar në vitin 1991 mbeti pa 5 kolegët e tyre. Disa u vranë në shtëpitë e tyre, njëri konsiderohet i zhdukur, ndërsa dy kolegë u vranë në Ovçar. Asnjëri nuk u vra në terren", tha Rac.

Ai është i mendimit se ndihma e Radios kroate Vukovar për banorët e këtij qyteti gjatë luftës ishte shumë e madhe.

"Sundonte bindja dhe siguria se qyteti ende është duke rezistuar dhe se nuk ka rënë në duart e armikut", shpjegon Rac.

Ata raportonin çdo ditë për numrin e viktimave dhe të plagosurve, gjendjen në terren, por edhe përpiqeshin të mbajnë disponimin e banorëve të shqetësuar të Vukovarit.

"Programi kishte edhe disa momente të ndritura. Kur jeni nën sulme të vazhdueshme për tre muaj, nuk mund ta bazoni gjithë programin në raportet se cila pjesë e qytetit ka pësuar dhe në cilën pjesë zhvillohen luftime. Ekipi në atë kohë u përpoq të kishte aq sa ishte e mundur përmbajtje argëtuese, kështu për fëmijët në strehimore organizuan një shkollë të vogël ku lexonin përralla, përpiqeshin të bënin biseda dhe tregime të ndryshme me të vegjlit për të larguar vëmendjen nga ngjarjet e luftës“, thotë Rac.

Sipas tij, ata kanë pasur edhe një rol informues ku është dashur t'i informojnë vukovarasit për gjendjen aktuale.

"Ishte shumë e vështirë dhe sfiduese për ta bërë këtë sepse Radio kroate Vukovar ishte një radio shumë e dëgjuar. Ata duhej të ishin të kujdesshëm në raportet e tyre që të mos rrezikonin pozicionet tona. Shpesh lajmet në transmetim ishin të kamufluar në forma mesazhesh. Ashtu siç lufta merrte vrull, ashtu edhe ata zbritnin nga katet më të larta në katet më të ulëta dhe më në fund përfunduan në bodrum. Ata ishin shënjestër e vazhdueshme sulmesh, sepse armiku donte të shuante zërin që në fakt i kishte komprometuar dhe përhapte zërin e së vërtetës, pjesës tjetër të botës nga ferri i Vukovarit. Kështu u detyrua të zhvendoset disa herë brenda vitit 1991", shpjegoi Rac.

Gazetarët e Radio Vukovarit dërguan raporte edhe për shtëpi të tjera mediatike.

“Shtëpia jonë mediatike kishte rolin të mbronte pragun e shtëpisë dhe atdheun tonë si dhe të informonte publikun kroat për të gjitha tmerret që po ndodhin këtu me shpresën se do të vijë ndonjë ndihmë. Ne i rezistuam kësaj me sukses për 87 ditë, ndihma nuk mbërriti realisht dhe ne e dinim epilogun”, tha Rac.

Për herë të fundit zëri i radios legjendare u dëgjua më 18 nëntor 1991, kur ra Vukovari. Për herë të parë doli sërish në transmetim më 7 shtator 1992 nga radiostacioni Vinkovci duke transmetuar program njëorësh në ditë.

Radioja kroate Vukovari ishte e fundit që u largua nga qyteti i pushtuar në vitin 1991 dhe e para që u kthye në vend më 23 dhjetor 1997.

Atë ditë, në katin e 11-të të hotelit Vukovar nga studioja e saj u dërgua një urim radiofonik nga Vukovari i lirë.

Pas kthimit në qytet, radioja fitoi sërish rëndësi sepse u bë burimi kryesor i informacionit për të kthyerit dhe së bashku me informimin i dha jetë edhe Vukovarit të ri, të sotëm.

Që nga 15 shtatori 2004, Radioja kroate Vukovar ka funksionuar nga ambientet e veta në qendër të qytetit dhe ekipi i saj gazetaresk dhe teknik mbulon gjithë qarkun Vukovar-Srijem.

Radioja sot ka redaksi informative dhe argëtuese-muzikore si dhe është botuese e gazetës Vukovar.

Programi transmetohet 24 orë në ditë dhe funksionon në sistemin e rrjetit të shërbimit mediatik si një nga themeluesit e tij. Numri i dëgjuesve të radios sot arrin rreth 150 mijë në ditë, gjë që e bën atë një nga radiostacionet lokale më të dëgjuara në Kroaci. Përpara saj për sa i përket dëgjueshmërisë janë vetëm radiostacionet me koncesion kombëtar ose rajonal.

Në vitet e pasluftës janë siguruar edhe regjistrime arkivore.

"Rrëfimi i regjistrimeve tona arkivore të vitit 1991 është shumë interesante. Rastësisht regjistrimet mbijetuan. Regjistrimet e programit tonë mbijetuan pjesërisht. Në vitin 1991 nuk kishte mjaft kaseta. Ekuipazhi i luftës në atë kohë u detyrua të përdorte të njëjtat kaseta që ishin riincizuar", tha Rac për AA-në.

Një qytetar i ka hasur rastësisht këto regjistrime. Pas rënies së qytetit, një banor i Vukovarit përshkoi qytetin me shpresën për të gjetur diçka që mund të shiste dhe kështu t'i mbijetonte më lehtë ato kohë të vështira.

"Dhe duke përshkuar rrënojat e Vukovarit, ai hyri në ndërtesën e radios dhe gjeti ato kaseta, një vulë dhe disa kopje të gazetave. Ai i mori dhe i ruajti ato në shtëpi. Ai as nuk e dinte se çfarë kishte në to. Kur arritëm në Vukovar na erdhi me një çantë të zezë dhe tha se këto i kishte marrë në ndërtesën tonë, menjëherë provuam ato incizime dhe u habitëm kur dëgjuam se kishte audio incizime autentike të vitit të luftës 1991. Biseda me bashkëqytetarët, me furrtarin, drejtoreshën e atëhershme të spitalit të Vukovarit, Vesna Bosanac, komandantët e mbrojtjes së qytetit, njerëzit në strehimore", tha Rac.

Siç tha ai, është një material me rëndësi të paçmueshme historike.

"Kjo është sigurisht trashëgimia e gjithë ekipit tonë të luftës dhe të gjithë atyre që kanë rrezikuar jetën e tyre për të vërtetën dhe për Kroacinë moderne, sovrane", shtoi Rac.

AA