Rajoni, rritet importi mes Shqiprisë dhe Kosovës / Photo: AA Arkiv

Që pas vendosjes së masave të sigurisë nga qeveria, ka rënie të importit nga Serbia për rreth 70 për qind, ndërsa thotë se ka rritje të importit nga ana e Shqipërisë për rreth 25 për qind krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, ka deklaruar Drejtori i Doganës në Kosovë, Agron Llugaliu në një intervistë për KosovaPress.

Llugaliu theksoi se në dy vitet e fundit ka rënie të kontrabandës në pjesën veriore të vendit, dhe se sundimi i ligjit në atë pjesë është i shtrirë në mënyrë efikase.

Masa e sigurisë ndaj mallrave serbe e vendosur një vit më parë, ka ndikuar që të mos ketë kontrabandim të armatimit dhe pajisjeve të tjera nga Serbia, tha drejtori i doganës.

Përveç se kontrabanda ka rënë, Llugaliu thotë se edhe aktivitete tjera janë realizuar duke përfshirë edhe pjesën tjetër të vendit.

Ndërkaq, ai njoftoi se rreth 70 për qind e importit të përgjithshëm nga Serbia ka pësuar reduktim.

Sipas Llugaliut, e rëndësishme në këtë drejtim është që masa e sigurisë ka qenë efikase duke treguar që nuk kanë pasur infiltrim ose tentim të kontrabandimit të armatimit dhe pajisjeve tjera.

Ndërsa, sa i përket importit me Shqipërinë, Llugaliu thotë se ka rritje prej 25 për qind në katërmujorin e parë të këtij viti, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.

Masa e sigurisë për ndalimin e mallrave serbe ishte marrë më 14 qershor nga Qeveria e Kosovës, atë ditë kur ishin rrëmbyer tre zyrtarët policorë të Kosovës nga forcat serbe brenda territorit të Kosovës.

Më vonë Qeveria ka marrë vendim për lehtësimin e masës së sigurisë për mallrat e lëndës së parë dhe gjysmë produkte.

TRT Balkan / agjencitë