Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka reaguar në lidhje me aksidentin ajror ku një avion i pasagjerëve të kompanisë "Azerbaijan Airlines" (AZAL) u rrëzua pranë qytetit Aktau në Kazakistan.
Në lidhje me aksidentin që shkaktoi dhjetëra të vdekur dhe të plagosur, Rama ka shkruar në rrjetet sociale se shpreh ngushëllimet në emër të Shqipërisë për Azerbajxhanin dhe Kazakistanin.
"Në emër të Shqipërisë, bashkohem me miqtë tanë të pikëlluar për t'i shprehur ngushëllimet e mia për vendet tona vëllazërore, Azerbajxhanin dhe Kazakistanin, dhe uroj nga zemra që paqja të mbizotërojë në gjithë rajonin e tyre", ka shkruar Rama.
Më herët gjatë ditës, një avion i Azerbajxhanit me 67 persona në bord, prej të cilëve pesë anëtarë të ekuipazhit, që po udhëtonte nga kryeqyteti i Azerbajxhanit Baku për në Grozny në rajonin e Çeçenisë, u rrëzua pranë qytetit Aktau në Kazakistan. Raportimet thonë se 32 persona në bord i mbijetuan përplasjes.