Raport: Gjykimi në kohë të arsyeshme mbetet problem në Kosovë / Photo: AA

Gjykimi në kohë të arsyeshme vazhdon të jetë një prej problemeve të sistemit të drejtësisë në Kosovë, sipas raportit të ri të Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD).

Në këtë raport me titull "Gjykimi brenda afatit të arsyeshëm - Problemet kushtetuese të Projektligjit aktual", u theksua se, përkundër përmirësimeve në disa hallka të sistemit të drejtësisë, shkelja e kësaj të drejte qytetare po vazhdon për vite me radhë.

Hulumtuesi i IKD-së, Gzim Shala, tha se çështja e gjykimit në kohë të arsyeshme është një prej problemeve kryesore me të cilat ballafaqohet sistemi kosovar i drejtësisë.

Shala tha se gjyqësori nuk arrin që lëndët t’i trajtojë brenda një afati të arsyeshëm kohor dhe për këtë arsye drejtësia që jepet në Kosovë "është një drejtësi e vonuar".

"Një ngarkesë enorme që nuk e përballon sistemi gjyqësor, është arsyeja kryesore pse kemi edhe zvarritje të rasteve. Kjo është edhe shkaktari kryesor pse krijohen këto situata. Por, pse kemi ngarkesë, nëse e elaborojmë edhe këtë çështje? Arsyeja kryesore veçanërisht në fushën e lëndëve civile është mospërmbushja e obligimeve nga ana e institucioneve publike", theksoi Shala.

Sipas raportit të IKD-së, edhe çështja e mungesës së numrit të mjaftueshëm të gjyqtarëve në gjykatat në Kosovë, është një problem po ashtu.


AA