Raporti i QKSS-së: “Projekti 5000” i Serbisë cenon stabilitetin e rajonit/    Foto: Ministria e Mbrojtjes së Serbisë

“Çka është “Projekti 5000” i Serbisë dhe pse duhet të jemi të shqetësuar?”, është titulluar raporti që ka publikuar të martën Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS) e cila ka analizuar projektin e Serbisë që synon rritjen e kapaciteteve ushtarake dhe pasojat që mund t’i sjellë stabilitetit rajonal.

“Nisma për të zgjeruar ndjeshëm numrin e forcave speciale nga 1.500 në 5.000 sinjalizon një qëllim të qartë për të forcuar aftësitë ofanzive dhe operacionet speciale. Kjo lëvizje tregon një fokus në forcat fleksibël, me reagim të shpejtë, të afta për të ekzekutuar një gamë të gjerë operacionesh ushtarake, duke nënvizuar një zhvendosje drejt aftësive ushtarake më dinamike dhe të gjithanshme”, thuhet në raportin e QKSS-së.

Ky zgjerim ngre shqetësime kritike në lidhje me ndryshimin e ekuilibrit ushtarak dhe rrezikun e rritur të tensioneve rajonale.

“Neutraliteti ushtarak i vetëshpallur i Serbisë është gjithnjë e më i vështirë për t’u përshtatur me lëvizjet e saj të fundit strategjike, duke përfshirë rikthimin e mundshëm të shërbimit të detyrueshëm ushtarak, investime të rëndësishme në armatim të avancuar dhe përmirësimet gjithëpërfshirëse të forcave të saj speciale që synojnë rritjen e kapaciteteve ushtarake. Këto zhvillime japin një pamje të një vendi që po forcon në mënyrë aktive forcën e tij ushtarake dhe gatishmërinë operacionale. Veprime të tilla janë në kontrast të thellë me parimet e neutralitetit ushtarak. Divergjenca midis deklaratave zyrtare të Serbisë për neutralitet dhe përparimeve të saj të prekshme ushtarake sugjeron një mospërputhje midis politikës së deklaruar dhe strategjisë aktuale ushtarake”, thuhet në raport.

“Këto zhvillime mund të kontribuojnë në një dilemë sigurie në Ballkanin Perëndimor, ku vendet fqinje mund të ndihen të detyruara të forcojnë aftësitë e tyre ushtarake si përgjigje, duke çuar potencialisht në një garë armatimi dhe tensione në rritje. Gara e armatimit midis Serbisë dhe Kroacisë – për shumëkënd – tashmë kjo po ndodh”, potencohet po ashtu në raport.

Sipas raportit, forcimi i kapaciteteve ushtarake të Serbisë, veçanërisht në kontekstin e raportit të saj me Kosovën dhe sfidave më të gjera rajonale, reflekton një politikë më të vendosur të sigurisë.

“Kjo politikë ndikohet nga partneriteti strategjik i Serbisë, veçanërisht me Rusinë dhe Kinën, dhe ka implikime për përpjekjet e integrimit euroatlantik dhe interesat strategjike të NATO-s në Ballkan”, thuhet në raport.

Në raport, QKSS-ja i ka dhënë disa rekomandime edhe Qeverisë së Kosovës, për të cilën thotë se duhet të investojë më shumë në institucionet e inteligjencës dhe të zhvillojë aftësi të reja të mbledhjes së informatave për të ofruar paralajmërim të hershëm.

Kjo analizë, Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë thotë se nënvizon nevojën urgjente për dialog dhe bashkëpunim midis shteteve të Ballkanit Perëndimor, NATO-s dhe palëve të tjera të interesuara për të adresuar potencialin për përshkallëzimin e konfliktit.

TRT Balkan / agjencitë