Rifillojnë sot bojkotet ndaj marketeve në vendet e rajonit / Foto: AA

Sot sërish thirrje drejtuar blerësve në vendet e Ballkanit Perëndimor të marrin pjesë në bojkotimin e mallrave dhe shërbimeve si përgjigje ndaj çmimeve të larta.

Pasi bojkoti i kaluar shtatëditor i tri zinxhirëve të shitjes me pakicë dhe tre produkteve në Kroaci nuk çoi në ulje të çmimeve, u mor vendim që të vazhdohet bojkoti në një raund të ri të një zinxhiri të shitjes me pakicë edhe për shtatë ditë të tjera.

"Ne nuk kemi vërejtur që çmimi i një produkti të vetëm është ulur. Kemi vërejtur se çmimet e disa produkteve madje janë rritur, prandaj po vazhdojmë", kanë thënë organizatorët e bojkotit kroat.

Platforma “Përshëndetje Inspektor” njoftoi për ditën e sotme një tjetër bojkot të përgjithshëm, të tretë, njëditor.

Po ashtu, në Kroaci u kanë bërë thirrje qytetarëve që nga nesër të bojkotojnë një rrjet të shitjes me pakicë për një javë. Pas anketimeve të qytetarëve, u vendos që i pari në radhë të ishte rrjeti më i madh i supermarketeve në vend – Konzum.

Ndonëse Qeveria kroate ka vendosur të zgjerojë “ngrirjen e çmimeve” nga 30 produkte në gjithsej 70, si dhe faktin që rrjetet e shitjes me pakicë kanë paralajmëruar ulje çmimesh për qindra produkte, apo disa edhe mijëra, qytetarët mendojnë se kjo nuk është një masë e mjaftueshme.

Qytetarët shpenzojnë më pak dhe jo vetëm të premteve. Javën e kaluar, siç thuhet nga Administrata Tatimore Kroate, janë shpenzuar gjithsej 42 milionë euro më pak se një javë para bojkotit.

Në BeH, qytetarët janë gjithashtu të ftuar të "bojkotojnë energjinë elektrike"

Bojkoti i dytë radhazi i blerjeve është paralajmëruar për sot në Bosnjë e Hercegovinë, por ai do të zgjatet edhe të shtunën përveç të premtes.

Edhe pse qeveria e BeH-së njoftoi se do të merrte një vendim për "ngrirjen e çmimeve" për gjithsej 50 produkte deri në fund të javës, kjo duket e pamjaftueshme, ashtu si vendimi i qeverisë së entitetit të BeH-së, Republika Serbe, të forcojë inspektimin dhe ndëshkimin e tregtarëve për rritje të pajustifikuara të çmimeve.

Organizatorët e bojkotit në BeH u bënë thirrje qytetarëve që të "bojkotojnë paralelisht energjinë elektrike" përmes grupit në Facebook "Bojkot.ba". Ata deklaruan se një numër i madh i anëtarëve të grupit të tyre besojnë se çmimi i energjisë elektrike është i lartë.

"I ftoj të gjithë anëtarët të bashkohen në Bojkot që po zhvillohet paralelisht me Bojkotin e zinxhirëve të mëdhenj të shitjes me pakicë. Ne po fikim televizorët, llambat, karikuesit dhe të gjitha pajisjet që nuk janë të nevojshme dhe fikja e të cilave redukton konsumin e energjisë elektrike."

Bojkot edhe në Serbi dhe në Slloveni

Në të njëjtën kohë, në Serbi është paralajmëruar bojkot i produkteve edhe të premten, ndërsa në Slloveni është duke vazhduar bojkoti njëjavor i disa zinxhirëve dhe produkteve të shitjes me pakicë.

Shoqata e Konsumatorëve të Sllovenisë paralajmëroi qytetarët se në periudhën e fundit në mënyrë të paarsyeshme janë rritur çmimet e vajit të ullirit, gjalpit, produkteve të qumështit, llojeve të caktuara të mishit dhe produkteve të mishit, si dhe bukës.

AA