Një helikopter ushtarak hungarez, pjesë e stërvitjes së përbashkët ushtarake të njësive ushtarake kroate dhe hungareze, është rrëzuar në afërsi të Dërnishit.
Në vendin e ngjarjes janë gjetur dy trupa, ndërsa kërkimet për trupin e tretë janë ende në vazhdim.
“Helikopteri Mi-171 Sh nga Divulje dhe avioni Pilatus i Forcave Ajrore Kroate u përfshinë në kërkimin e helikopterit ushtarak që u rrëzua në zonën e fshatit Pakova në qarkun Shibenik-Knin. Nuk është një helikopter i Forcave të Armatosura të Kroacisë. Ministria e Mbrojtjes do të informojë publikun për të gjitha detajet në kohën e duhur”, njoftoi Ministria e Mbrojtjes e Kroacisë.
Josip Broziçeviç, kreu i Shërbimit Kroat të Shpëtimit Malor (HGSS), tha se në helikopter ishin tre persona, duke shtuar se dy trupa janë gjetur, kurse kërkimet për personin e tretë janë duke vazhduar.
Helikopteri hungarez ishte në Kroaci në kuadër të stërvitjes, kurse autoritetet hetuese do ta informojnë publikun për shkaqet e rrëzimit dhe rrethanat më të detajuara të aksidentit pasi të jenë vërtetuar të gjitha rrethanat e aksidentit.