Në Samitin e BE-së në dhjetor pres vendime lidhur me zgjerimin për disa nga vendet e Ballkanit Perëndimor, sipas raportit të Komisionit Evropian për përputhshmërinë e vendeve kandidate me kërkesat e reformës, i cili pritet të publikohet në javët në vijim, tha Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, në një intervistë për agjencinë portugeze Lusa.
“Nga Këshilli Evropian do të varet se çfarë do të vendosë në tryezë nga raporti i Komisionit”, theksoi Michel, duke shtuar se vetë fakti që në Samitin joformal të BЕ-së të premten në Granada liderët evropianë do të "diskutojnë të ardhmen e BE-së lidhur me zgjerimin është një sinjal shumë i fuqishëm”.
Ai në intervistë i referohet deklaratës së tij në Bled, kur si synim për zgjerimin e ardhshëm të BE-së e caktoi vitin 2030.
“Mbetem në këtë qëllim dhe në këtë afat. Kjo është e qartë për të gjithë. Pse është e rëndësishme kjo datë? Sepse është një nxitje e qartë për të gjithë ne që të përgatitemi dhe të përshpejtojmë përpjekjet tona. Pa një datë, kishte një qëllim të përbashkët, por ishte e lehtë të zvarriteshin dhe të mos merrnin vendimet e nevojshme”, vuri në dukje Presidenti i Këshillit Evropian.
Michel beson gjithashtu se në Samitin e dhjetorit liderët e BE-së duhet të japin dritën jeshile për fillimin e negociatave formale të pranimit me Ukrainën dhe Moldavinë.
“Dhjetori do të jetë një moment i rëndësishëm. Do të jetë një takim i vështirë, një Këshill Evropian i vështirë. Nuk do t'i nënvlerësoja sfidat. Në dhjetor, Këshilli Evropian duhet të marrë disa vendime për Ukrainën, për Moldavinë dhe për atë nëse do t'i hapim negociatat apo jo”, tha Michel.
Sipas tij, BE-ja ka dhënë sinjale të qarta muajt e fundit duke i dhënë Ukrainës statusin e vendit kandidat për anëtarësim në Union.
"Ne dërguam një mesazh të qartë jo vetëm nga Këshilli Evropian, por edhe nga shumë liderë individualë se duhet të përshpejtojmë procesin dhe të bëjmë përpjekjet e nevojshme", shtoi Michel në intervistë.