Schmidt: Republika Sërpska nuk është shtet, është një entitet multietnik. / Foto: AA

Përfaqësuesi i Lartë Christian Schmidt ka ribërë të qartë se Republika Sërpska nuk është shtet, por një nga dy entitetet multietnike brenda shtetit sovran të Bosnjë e Hercegovinës, sipas një njoftimi nga Zyra e Përfaqësuesit të Lartë në Bosnjë e Hercegovinë (OHR).

"Si e tillë, ajo nuk ka shtetësinë", tha përfaqësuesi i Lartë, duke komentuar shënimin e Sretenjes si "Ditën e shtetësisë së RS-së".

Ai shtoi se kujtimet për ngjarjet historike që lidhen me serbët në shekullin e 19-të janë të pakontestueshme, por ato nuk mund të abuzohen në situatën e tanishme.

Ai theksoi gjithashtu se "uniteti i të gjithëve qëndron në integrimet evropiane".

"Marreveshja e Paqes e Dejtonit është e qartë: entitetet ekzistojnë ligjërisht vetëm sipas Kushtetutës së BeH-së dhe nuk kanë 'sovranitet' ose 'shtetësi'. Republika Sërpska, si pjesë e shtetit sovran të Bosnjë e Hercegovinës, i nënshtrohet sovranitetit të Bosnjë e Hercegovinës. Për më tepër, Republika Sërpska nuk është entitet i kombit serb, por entitet multietnik ku të tria kombet konstituive dhe të tjerët janë të barabartë, si dhe organet e pushtetit të entitetit nuk përfaqësojnë vetëm kombin serb", theksoi Schmidt.

Ai bëri apel për të gjithë aktorët politikë që t'i respektojnë parimet e Marrëveshjes, sepse ato janë baza ligjore dhe kushtetuese e Bosnjë e Hercegovinës, siç është përcaktuar nga Marrëveshja e Paqes e Dejtonit.

Përfaqësuesi i Lartë u bëri thirrje liderëve politikë dhe personave në funksione publike që me deklaratat e tyre ta promovojnë stabilitetin, dialogun dhe pajtimin, si dhe jo ndarjet.

"Unë jam plotësisht i përkushtuar për ta siguruar respektimin e paqes, stabilitetit dhe progresit, të arritur nga Marrëveshja e Paqes e Dejtonit, në interes të të gjithë qytetarëve të Bosnjë e Hercegovinës", përfundoi Schmidt.

TRT Balkan / agjencitë