Seanca e përbashkët e Kroacisë dhe BeH-së: Mbështetje Sarajevës drejt BE-së.   / Foto: AA

Në rendin e ditës së seancës së përbashkët janë një sërë përfundimesh me interes të përbashkët për Bosnjë e Hercegovinën dhe Kroacinë, të cilat do të përmirësojnë më tej marrëdhëniet dypalëshe.

Në Zagreb ka filluar seanca e përbashkët e Këshillit të Ministrave të Bosnjë e Hercegovinës dhe Qeverisë së Republikës së Kroacisë.

Në rendin e ditës së seancës së përbashkët janë një sërë përfundimesh me interes të përbashkët për Bosnjë e Hercegovinën dhe Kroacinë, të cilat do të përmirësojnë më tej marrëdhëniet dypalëshe.

Para seancës u mbajt një takim mes kryesueses së Këshillit të Ministrave të BeH-së Borjana Krishto dhe kryeministrit të Kroacisë Andrej Plenkoviq. Pas seancës është planifikuar nënshkrimi i marrëveshjeve.

Ndër temat e seancës është bashkëpunimi dhe ndihma për BeH-në në procesin e anëtarësimit në BE, si dhe bashkëpunimi ndërkufitar dhe zhvillimor, programet evropiane të bashkëpunimit ndërkufitar dhe rajonal, bashkëpunimi në fushën e shfrytëzimit të Fondeve të BE-së, bashkëpunimi në fushën e trajnimit diplomatik dhe në kuadër të organizatave dhe iniciativave ndërkombëtare e rajonale.

Do të diskutohet gjithashtu për bashkëpunimin në fushën e migracionit dhe azilit, mbrojtjen civile, si dhe në fushën e kalimeve kufitare dhe menaxhimit të kufirit.

Kryeministri kroat Plenkoviq tha në fjalën e tij hapëse se seanca e përbashkët po mbahet me qëllim të përmirësimit të marrëdhënieve mes dy vendeve.

“Ne po jetojmë në një kohë të rrethanave të ndryshuara gjeopolitike, para së gjithash, të shkaktuara nga pandemia COVID-19, por mbi të gjitha nga agresioni rus kundër Ukrainës, i cili u solli vendeve tona, por edhe Evropës dhe gjithë botës në kontekstin e krizës energjetike dhe ushqimore, presione inflacioniste. Procesi i hyrjes së Bosnjë e Hercegovinës në Bashkimin Evropian është më i rëndësishëm se kurrë më parë, në mënyrë institucionale dhe të përshpejtuar. Ne do të mbështesim Bosnjë e Hercegovinën në rrugën e saj drejt Bashkimit Evropian, do të mbështesim përmirësimin e marrëdhënieve tuaja edhe me Organizatën e Traktatit të Atlantikut të Veriut”, theksoi Plenkoviq.

Ai shtoi se seanca e sotme është një impuls pozitiv në zhvillimin e mëtejshëm të marrëdhënieve ndërmjet Bosnjë e Hercegovinës dhe Kroacisë.

Nga ana tjetër, Kryesuesja e Këshillit të Ministrave të BeH-së, Borjana Krishto, tha se seanca e përbashkët ka një rëndësi të madhe në konfirmimin e marrëdhënieve të mira të deritanishme mes dy vendeve.

"Marrëdhëniet dypalëshe ndërmjet Kroacisë dhe Bosnjë e Hercegovinës bazohen në lidhjet e përbashkëta historike dhe kulturore, por janë të orientuara edhe drejt së ardhmes. Nëpërmjet bashkëpunimit dhe dialogut të të dyja vendeve, ne mund të forcojmë lidhjet tona dhe të punojmë së bashku për të ndërtuar një të ardhme të begatë dhe të sigurt për të gjithë ne. Marrëdhëniet tona janë të partneritetit dhe fqinjësisë së mirë, që mundësojnë të zgjidhim të gjitha çështjet e hapura në këtë frymë”, tha Krishto.

TRT Balkan / agjencitë