Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) e Kosovës ka marrë vendimin që mundëson kalimin nga patentë shoferi i lëshuar nga institucionet jolegale serbe në Kosovë, në ato zyrtare, të lëshuara nga institucionet e Republikës së Kosovës.
Në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit bëhet e ditur se kalimi në patentë shoferët e lëshuara nga institucionet e Republikës së Kosovës nuk kërkon përsëritje të dhënies së provimit për rifitim të patentë shoferit.
Gjithashtu, bëhet e ditur se "kalimi në patentë shofer të RKS, mundëson regjistrimin e lehtë dhe praktik të automjeteve".
Për të marrë patentë shoferin e Kosovës secili qytetar duhet të dorëzojë aplikim në Qendrën për Pajisje me dokumente, sipas njoftimit.
"Letërnjoftimin, origjinalin e patentë shoferit të lëshuar nga ana e autoriteteve serbe, certifikatën e gjendjes shëndetësore për pajisje me patentë shofer, dëshmi të pagesës së taksës, si dhe origjinalin e patentë shoferit të lëshuar nga UNMIK-u apo RKS-ja në qoftë se bëhet aplikimi për shtimin e kategorive, gjë e cila po ashtu është mundësuar përmes këtij vendimi të Ministrisë së Punëve të Brendshme", thuhet në njoftim.
Vendimi thuhet se hyn në fuqi më 9 maj dhe është valid deri me datën 9 gusht 2024, ku me këtë rast, Zyra Kryeministrit u ka bërë thirrje qytetarëve serbë ta realizojnë të drejtën e tyre.