Serbi: Ekspertët do ta vlerësojnë përmbushjen e kërkesave të studentëve /            Foto: AA

Senati i Universitetit të Beogradit mori vendim për formimin e dy grupeve punuese të ekspertëve që do të merren me vlerësimin profesional të përmbushjes së kërkesave të studentëve ndaj institucioneve.

Në një deklaratë të nënshkruar nga rektori i Universitetit të Beogradit, Vlladan Gjokiq, thuhet se grupet punuese përbëhen nga profesorë universitarë dhe ekspertë të fushave të ndryshme.

Detyra e grupeve të punës së ekspertëve është të përgatisin një raport mbi bazën e dokumentacionit në dispozicion dhe analizave të ekspertëve, i cili do t'i paraqitet kolegjit të zgjeruar rektoral dhe plenumeve studentore.

Roli i tyre është të japin mendimin e ekspertëve, në mënyrë që plenumet të marrin vendime të informuara për hapat e mëtutjeshëm, në bazë të fakteve të verifikuara, thuhet në njoftim.

Studentët nëpër qytetet e Serbisë vazhdojnë me protesta dhe bllokada të objekteve të fakultetit dhe rektoratit lidhur me tragjedinë në Stacionin Kryesor Hekurudhor në Novi Sad, ku 15 persona humbën jetën si pasojë e rënies së një tende prej betoni më 1 nëntor të vitit të kaluar.

Studentët në bllokadë kërkojnë plotësimin e katër kërkesave që kanë bërë në nisje të protestës, ndërsa përfaqësuesit e qeverisë deklarojnë se kërkesat e studentëve në bllokadë janë plotësuar dhe i ftojnë të thonë atë që nuk është plotësuar.

AA