Serbi, ndërpritet seanca e Parlamentit, përplasje fizike mes deputetëve / Photo: AA

Seanca e Parlamentit të Serbisë është ndërprerë sot për një kohë të shkurtër pasi ka pasur tensione dhe konfrontim fizik mes deputetëve të opozitës dhe përfaqësuesve të koalicionit qeverisës.

Parlamenti i Serbisë sot diskuton për propozim-buxhetin për vitin 2025 dhe ligjet shoqëruese. Përveç projektbuxhetit për vitin e ardhshëm, në rend dite të seancës janë rreth 50 pika.

Por, seanca u ndërpre për një kohë të shkurtër për shkak të një përplasjeje të shkurtër fizike mes përfaqësuesve të koalicionit qeverisës dhe opozitës në sallën e Parlamentit.

Përfaqësues të koalicionit qeverisës dhe opozitës dolën në foltore duke mbajtur pankarta, pas së cilës pati grumbullim, konfrontim fizik dhe hedhje letrash dhe uji.

Situata u qetësua pas dhjetë minutash, kur kryetarja e Parlamentit, Ana Brnabiq, zbriti para palëve të konfrontuara dhe i drejtoi anëtarët e koalicionit qeverisës në vendet e tyre.

Në transmetimin e drejtpërdrejtë shihet se përfaqësuesit e opozitës janë ngritur në këmbë duke mbajtur në duar pankarta me mbishkrimin "Duart tuaja janë të përgjakura" dhe "Korrupsioni vret", ndërsa deputetët e pushtetit qëndruan me pankartat me mbishkrimin "Llumi i verdhë dhe korrupsioni është emri juaj i mesëm".

Përplasje fizike ka patur edhe në ballkon, ku përfaqësuesit e autoriteteve kanë varur një pankartë ku thuhet se "hajdutët e verdhë duan luftë civile, ndërsa Serbia punë". .

TRT Balkan / agjencitë