Në Shqipëri vazhdojnë protestat për të “denoncuar rastet e korrupsionit në Bashkinë e Tiranës”, ndërkohë janë shoqëruar përsëri me tensione dhe incidente.
Protesta është organizuar me thirrjen e përfaqësuesve të partive opozitare, Partisë Demokratike të Shqipërisë dhe Partisë së Lirisë, si dhe përfaqësuesve të shoqërisë civile dhe aktivistëve, me kërkesën për dorëheqjen e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj.
Në protestën e sotme të organizuar para selisë së bashkisë së kryeytetit të Shqipërisë u hodhën përsëri molotovë, tymuese dhe sende të tjera, ndërsa është shkaktuar edhe zjarr.
Ashtu si në protestat e kaluara, edhe gjatë protestës së sotme u angazhuan dhjetëra forca policore shtesë, si dhe u bllokuan disa akse rrugore për qarkullimin e automjeteve.
Disa nga organizatorët e protestës në fjalimet e tyre kanë theksuar se “ne nuk e falim korrupsionin dhe se rezistenca është një tregues i mirë”.
Në javët e fundit në Shqipëri janë organizuar protesta për të “denoncuar rastet e korrupsionit në Bashkinë e Tiranës”, duke u shoqëruar edhe me tensione dhe incidente.
Protestat organizohen pas arrestimit në fund të muajit mars të këtij viti të disa ish-zyrtarëve të Bashkisë së Tiranës, të akuzuar për veprat penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike” dhe “Refuzimi për deklarimin, mosdeklarimin, fshehjen ose deklarimin e rremë të pasurive”.
Më parë, autoritetet policore dhe disa nga ambasadat në Shqipëri kanë bërë thirrje për shmangien e akteve të dhunës në protestat para Bashkisë së Tiranës.
Organizatorët e protestës së sotme kanë paralajmëruar vazhdimin e protestave në Tiranë, pasi sipas tyre “do të vazhdojnë me qëndresën”.