Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKShPK) organizoi tryezën e rrumbullakët në kuadër të shënimit të Ditës Botërore të AIDS-it.
Në këtë tryezë morën pjesë përfaqësues nga Ministria e Shëndetësisë, komunat, ekspertë nga Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSh), përfaqësues nga Qendra Klinike Universitare e Kosovës (QKUK), IKShPK-ja dhe organizatat joqeveritare, ku u diskutua rreth situatës aktuale me HIV/AIDS në Kosovë, rajon dhe botë.
Zëvendës/ministrja e Shëndetësisë Dafina Gexha tha se Kosova është ndër vendet me prevalencën më të ulët të HIV-it te popullata e përgjithshme, por edhe me prevalencë të ulët te popullata kyç.
Ajo tha se ministria i bën falas diagnostikimin dhe trajtimin e rasteve me këtë sëmundje. Sipas saj, rol shumë të rëndësishëm në mbajtjen nën kontroll të HIV-it në Kosovë, kanë luajtur shoqëria civile dhe organizatat joqeveritare.
"Që nga viti 1986 deri më 1 dhjetor të vitit 2023 në Kosovë janë të raportuara 177 raste me HIV/AIDS. Ministria e Shëndetësisë ka politika të mjaftueshme për parandalimin dhe trajtimin e HIV/AIDS-it me qëllim të arritjes së caqeve 95, 95, 95", theksoi Gexha.
Drejtori i Klinikës Infektive në QKUK, Arben Vishaj, tha se aktualisht QKUK-ja po i trajton 65 pacientë me HIV/AIDS.
"(Në vitin 2023) Kemi regjistruar gjithsej 13 raste të reja prej tyre mosha mesatare ka qenë moshë shumë e re dhe kanë qenë të komunitetit LGBTI, kurse në vitin e kaluar kemi pasur gjithsej nëntë raste, pra kemi një rritje të lehtë në kohën e fundit në shifra, por rritje e madhe në përqindje", theksoi Vishaj.
Ai tha se në katër vitet e fundit ka pasur vetëm një humbje jete nga kjo sëmundje në Kosovë.
Drejtori i IKShPK-së, Naser Ramadani, tha se HIV/AIDS mbetet çështje me rëndësi globale e shëndetësisë publike, ka marrë deri më tani në nivel global rreth 40 milionë jetë.
Kosova nga viti 2002 ka qendra të përhershme për testim vullnetar për sëmundjen e HIV/AIDS.