Shpërthim në veri të Mitrovicës, nuk ka të lënduar.     /Foto: AA

Një shpërthim i fuqishëm ka ndodhur sërish mbrëmë pas mesnate te "Tre rrokaqiejt" në veri të Mitrovicës.

Shpërthimi është dëgjuar rreth orës 01:00, ndërsa nuk raportohet për të lënduar.

Zëvendësdrejtori i Policisë për rajonin e veriut, Veton Elshani, për KosovaPress ka thënë se policia nuk ka arritur ta konfirmojë saktë vendin ku është hedhur mjeti shpërthyes, por që nuk ka të lënduar dhe as dëme materiale.

“Mbrëmë kemi dëgjuar një detonim. Nuk ka të lënduar e as dëme materiale”, ka thënë ai.

Ndryshe, ditë më parë persona deri tash të panjohur kishin sulmuar me mjet shpërthyes pikëkontrollin policor në këtë lagje, por nuk kishte të lënduar. Tensionet në veri të Kosovës janë rikthyer pasi katër kryetarët e zgjedhur në zgjedhjet e jashtëzakonshme lokale më 23 prill janë vendosur në ndërtesat komunale.


TRT Balkan / agjencitë