Në Tiranë po mbahet konferenca e 43-të e shefave të policisë së kryeqyteteve evropiane, ndërkohë në ceremoninë e hapjes ishin të pranishëm drejtues të Ministrisë së Brendshme të Shqipërisë, përfaqësues të policive të vendeve pjesëmarrëse dhe zyrtarë të tjerë.
Ministri i Punëve të Brendshme i Shqipërisë, Bledar Çuçi, në fjalën e tij në hapje të këtij eventi tha se konferencën e konsideron si një mundësi të shkëlqyer për të diskutuar se si mund të bashkërendojnë punën me njëri-tjetrin, sipas tij "për të rritur kohezionin e përpjekjeve në mënyrë që t'u shërbejmë qytetarëve në vendet tona respektive”.
"Jam i bindur që Shqipëria, edhe pse një vend i vogël, ka një kontribut jo të pakët në sigurinë e Evropës, madje një kontribut real dhe të matshëm edhe në sigurinë e asaj që sot është Bashkimi Evropian dhe këtë nëpërmjet pjesëmarrjes aktive në operacione të përbashkëta policore dhe adresimin e sfidave të tjera që lidhen me sundimin e ligjit, rendin dhe sigurinë publike", tha Çuçi.
Ministri Çuçi theksoi se sot Shqipëria është pjesëmarrëse aktive në skuadrat e përbashkëta hetimore dhe në operacione ndërkombëtare për goditjen e grupeve kriminale.
Ai shtoi se Policia e Shqipërisë është sot një ndër institucionet më të besueshme në Shqipëri, sipas tij e konfirmuar edhe nga studime të vendeve partnere.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shqipërisë, Muhamet Rrumbullaku, theksoi se në fokus të konferencës do të jenë disa nga temat mbi sfidat e përbashkëta të sigurisë, shkëmbimi i eksperiencës dhe promovimi i praktikave më të mira të bashkëpunimit.
"Qëllimi i përbashkët për të forcuar bashkëpunimin dhe rritur akoma më shumë parametrat e sigurisë në vendet tona, nuk është vetëm deklarativ, por i konkretizuar në shkëmbimin e informacionit, eksperiencave, zhvillimin e trajnimeve, operacionet e përbashkëta, si dhe ndihmën e ndërsjellë logjistike dhe teknike", tha Rrumbullaku.
Në konferencën treditore marrin pjesë 26 drejtues të policisë së kryeqyteteve evropiane, ndërkohë do të diskutojnë për bashkëpunimin mes policive dhe çështje të tjera.