Shqipëri: Shuhen 22 vatra zjarri.    /Foto: ATA

Në 24 orët e fundit janë raportuar 30 vatra zjarri, nga të cilat 22 janë shuar, pas një pune të pandërprerë të forcave operacionale, nën koordinimin e Agjencisë së Mbrojtjes Civile të Shqipërisë.

Ministria e Mbrojtjes informoi sot lidhur me situatën nga zjarret në vend.

Ministria bëri të ditur se, është shuar edhe vatra e zjarrit në fshatin Malecaj të bashkisë Lezhë për të cilën u angazhuan prej ditësh forcat e pushtetit vendor të mbështetura nga Forcat e Armatosura.

Por, sipas tyre, vijojnë të jenë aktive zjarret në vendgrumbullimin e mbetjeve të Bashkisë Vlorë, ku ditën e sotme situata paraqitet e përmirësuar.

Zjarri në fshatin Torovicë të bashkisë Lezhë, ditën e sotme vijon me intensitet të ulët, janë angazhuar për shuarjen e tij shërbimi zjarrfikës dhe struktura vullnetare.

Zjarri në fshatin Mal Shëngjin, ku ditën e djeshme është arritur vënia nën kontroll e tij, por si pasojë e erës së fortë është përkeqësuar sërish.

Nga ministria shtojnë se, po vijojnë operacionin ditën e sotme strukturat vendore të mbështetura nga Forcat e Armatosura.

Gjithashtu, bëhet e ditur se, po punohet edhe për shuarjen e zjarrit në fshatin Zogaj, bashkia Tropojë dhe pjesërisht në bashkinë Has, ku janë angazhuar ditën e sotme strukturat vendore të dy bashkive të mbështetura nga Forcat e Armatosura.

Aktive janë vatrat në fshatin Hoten, bashkia Vau Dejes, në bashkinë Fushë Arrëz, në fshatin Xhathe, i cili dje mori përmasa të menjëhershme si pasojë e erës së fortë. Vijon edhe këtu operacioni i strukturave vendore, mbështetur nga efektivët e FA.

Në vatrën e zjarrit në fshatin Zavalinë, në Elbasan dje u bë e mundur shmangia e rrezikut të kalimit të zjarrit në kurorën e pishave edhe me angazhimin e FA-së. Po ashtu po punohet edhe në një tjetër vatër në bashkinë Maliq, fshati Lozhan-Bode.

Ndryshe, ministria e Mbrojtjes përsërit thirrjen për banorët, që të raportojnë në kohë pranë strukturave vendore çdo vatër që konstatojnë, në mënyrë që të parandalohet përhapja në sipërfaqe më të gjera.

TRT Balkan / agjencitë