Shqipëria e para në rajon me platformë elektronike për raportimin financiar.     /Foto: AA

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i Shqipërisë (KQZ) në bashkëpunim me Këshillin e Evropës dhe Bashkimin Evropian kanë prezantuar platformën elektronike për raportimin financiar, që ka për qëllim forcimin e monitorimit të financimit të partive politike dhe përdorimit të burimeve shtetërore gjatë fushatave zgjedhore.

Komisari Shtetëror i Zgjedhjeve i Shqipërisë, Ilirjan Celibashi, gjatë fjalës në aktivitet tha se platforma elektronike e raportimit financiar synon që të mbështesë KQZ-në për të digjitalizuar gjithë procesin e raportimit dhe të monitorimit financiar të partive politike.

"Prej vitesh tashmë Këshilli i Evropës është një partner serioz dhe i gjithëgjendur i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në zhvillimin e projekteve të ndryshme. Mbështetja që hera-herës Bashkimi Evropian u ka dhënë këtyre projekteve ka qenë vitale për realizimin dhe suksesin e këtyre projekteve. Projekti i digjitalizimit të raporteve të ndryshme që lidhen me financimin e partive politike dhe të fushatave zgjedhore ka qenë dhe mbetet një ndër projektet më të rëndësishme të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve", tha Celibashi.

Ai theksoi se kjo platformë krijon një mundësi shumë të mirë për një administrim të plotë dhe të saktë të të dhënave të raportuara mbi të ardhurat dhe shpenzimet e partive politike, si në vite ashtu dhe sa i përket fushatave zgjedhore.

Ambasadorja e Bashkimit Evropian (BE) në Shqipëri, Christiane Hohmann, u shpreh se Shqipëria është vendi i parë në rajon që e ka një platformë të tillë.

"Me prezantimin e kësaj platforme digjitale që i vjen informacion në kohë reale mbi financimin e partive politike ne përmbushim edhe një prej elementeve më kryesorë, që është pjesa e transparencës. Duhet të përforcohet besimi i njerëzve në realizimin e zgjedhjeve dhe kjo është një mundësi e mirë për të patur zgjedhje të lira dhe të ndershme", tha Hohmann.

Sipas KQZ-së, platforma synon të kontribuojë në forcimin e masave kundër korrupsionit, pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit në përputhje me standardet evropiane.

Gjithashtu, theksohet se kjo platformë është zhvilluar me qëllim forcimin e kapaciteteve mbikëqyrëse të KQZ-së dhe rritjen e transparencës së partive politike.

TRT Balkan / agjencitë