Gjykata Themelore në Prishtinë e ka shpallur fajtor dhe e ka dënuar të pandehurin Millovan Bozhoviq me shtatë muaj burgim për veprën penale “pjesëmarrje në turmë që kryen vepra penale dhe huliganizmi” dhe për djegie të veturave me targa “RKS” në veri të vendit.
Rastin e ka konfirmuar për Anadolu zëdhënësja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Mirlinda Gashi, e cila theksoi se Departamenti Special ka shpallur aktgjykimin në çështjen penale kundër të akuzuarit M.B., ku të akuzuarit në dënimin e shqiptuar i llogaritet edhe koha e qëndrimit në paraburgim, nga data 1 prill 2023 deri me datë 26 tetor 2023.
Vendimi i Gjykatës bën të ditur se M.B obligohet të paguajë shpenzimet e procedurës penale sipas llogarisë përfundimtare të kësaj gjykate dhe në emër të paushallit gjyqësor të paguajë shumën në lartësi prej 100 euro, ndërsa po ashtu obligohet që në emër të programit për kompensimin e viktimave të krimit të paguajë shumën prej 100 euro, të gjitha këto në afatin prej 15 ditëve pas plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi.
“Me datë 30 mars 2023 në Zubin Potok, i akuzuari M.B kishte marr pjesë në turmën e mbledhur prej më shumë se tetë personave, të cilët me veprime të përbashkëta kishin kryer një ose më shumë vepra të rënda penale si Zjarrvënia dhe Shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm, në atë mënyrë që në orët e mëngjesit në rrugën 'Luka Pridvorjanina', kishin djegur dy vetura e të cilat mbanin targat e regjistrimit RKS, vetura këto të cilat ishin pronë e të dëmtuarit V.K dhe të dëmtuarit D.S, ku si pasojë e djegies së tyre kishin shkaktuar dëm të konsiderueshëm material”, njofton gjykata.
Të dëmtuarit në këtë rast, V.K dhe D.S, nuk kanë parashtruar kërkesë pasurore juridike.
Kundër këtij aktgjykimi, palët kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit të Kosovës, nëpërmjet Gjykatës Themelore në Prishtinë.
Veturat e djegura në veri ishin ndër veturat e pakta që ishin riregjistruar me targa “RKS” nga ato ilegalet të lëshuara nga Serbia, për të cilat Qeveria e Kosovës u kishte bërë thirrje serbëve që t’i legalizonin që nga viti 2022.
Policia kishte njoftuar për rastin e djegies së këtyre veturave duke thënë se dy persona, të nacionalitetit serb, kanë paraqitur rastin në polici, duke treguar se veturat e tyre ishin djegur rreth orës 2:30 pas mesnatës.
Blerim Vela, shef i kabinetit të presidentes së Kosovës Vjosa Osmani, lidhur me djegien e veturave kishte thënë se “strukturat ilegale të Serbisë po vazhdojnë të kërcënojnë serbët lokalë” në Zubin Potok.