Shtetasi turk Abtül Fettah Kuru, i cili prej 15 vitesh jeton në Kosovë dhe aktualisht menaxhon një lokal ushqimor në Mitrovicë, u ka dalë në ndihmë pjesëtarëve të policisë kosovare që prej tri javësh kanë patrulluar në vazhdën e tensioneve të fundit në veri të vendit, duke u ofruar atyre ushqim dhe pije të ngrohta falas.
Kuru erdhi nga rrethi Altınoluk i provincës turke Balıkesir për herë të parë në Kosovë para 20 vjetësh, por tash e 15 vjet, ai jeton dhe punon në Kosovë.
Ai merret me përgatitjen e donerëve prej 15 vitesh, por lokalin e tij në Lagjen e Boshnjakëve në Mitrovicë e ka hapur tash e pesë vjet.
Për shkak të vendosjes së barrikadave në veri që kanë bllokuar qarkullimin e lirë dhe gjendjes jo të mirë të sigurisë në këtë pjesë javëve të fundit, 32-vjeçari thotë se një situatë e tillë ka pasur efekt edhe në lokalin e tij, duke i rënë puna.
Megjithatë, ai nuk ka ndaluar si shkak i rrethanave të reja në lagje dhe ka vendosur që t’u dalë në ndihmë pjesëtarëve të Policisë së Kosovës të cilët po patrullojnë afër lokalit të tij tash e 20 ditë, duke u ofruar atyre ushqim dhe pije të ngrohta falas.
Duke folur për Anadolu Agency (AA), Kuru thotë se pjesëtarët e Policisë po rrinë në lagjen ku ai punon për sigurinë e të gjithë qytetarëve gjatë gjithë kohës dhe se ndihmën që e ofron, po e bën për hir të Zotit.
"E bëj për rizanë e Zotit. Nuk e bëj këtë për reklamë. Mundohemi që sipas mundësive t’u ndihmojmë policëve që gjenden këtu, t’u tregojmë se si popull turk gjendemi këtu. U japim doner në mbrëmje, gjatë ditës. Moti natën është i ftohtë. Duam t’u ndihmojmë sadopak. Kjo është arsyeja", thekson Kuru.
Populli turk është bamirës
Shtetasi turk ka ndërtuar një reputacion të mirë në Lagjen e Boshnjakëve dhe të gjithë e njohin si person me zemër të mirë, i cili edhe në situata normale në lagje, u ndihmon fëmijëve dhe nevojtarëve.
Dyqani i tij, përpos shqiptarëve, boshnjakëve e turqve të cilët jetojnë në këtë lagje, vizitohet edhe nga qytetarë të komunitetit serb, të cilët vijnë këtu për shkak të shijes së mirë të donerit të tij.
"Si populli turk ne jemi bamirës. Çdoherë, në çdo vend, kudo që të gjendemi, jemi kështu bamirës dhe duam të tregojmë se do të ndihmojmë. Si popull, qytetarë, e bëjmë atë që na takon. Si popull jemi njësoj në çdo vend. Atdhe nuk është vetëm vendi ku lindim, por edhe atje ku hamë kafshatën. Kudo që të shkojmë jemi të gatshëm të bëjmë të njëjtën, do ta bëjmë gjithmonë, gjithkund këtë", thekson Kuru, duke shtuar se kur u ndihmon njerëzve, ndihet sikur e gjitha bota është e tij dhe këtë e bënë me dashuri.
Përpos donerëve, ai gjatë këtyre ditëve dhe netëve u ka shërbyer zyrtarëve policorë edhe çaj të nxehtë për shkak të motit me temperatura të ulëta.
Barrikadat u vendosën më 10 dhjetor
Në disa lokacione në veri të Kosovës nga 10 dhjetori janë ngritur barrikada të cilat bllokojnë rrugët që çojnë drejtë pikave kufitare të Kosovës me Serbinë, Bernjak dhe Jarinje.
Së fundmi, një barrikadë e re u vendos edhe në afërsi të dyqanit të shtetasit turk Abtül Fettah Kuru te Lagjja e Boshnjakëve, e cila shënoi barrikadën e parë të vendosur në qytet, që nga fillimi i vendosjes së tyre.
Barrikadat u vendosën nga serbët lokalë në veri, fillimisht si reagim për shkak të arrestimit të ish-policit serb nga Policia e Kosovës, Dejan Pantiq, si i dyshuar për sulm terrorist ndaj institucioneve të Kosovës, por më 28 dhjetor, organet e drejtësisë kosovare ndryshuan masën ndaj tij nga paraburgimi në arrest shtëpiak, i cili do të vlejë deri më 9 janar.
Ndërkohë, Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq pas bisedimeve me serbët e Kosovës, mbrëmë nga Rashka bëri të ditur se barrikadat do të hiqen.