Punëtorët e Higjienës Komunale Shkup prej 7 korrikut protestojnë në shenjë revolte ndaj menaxhmentit pasi, siç thonë ata, i kanë larguar dhjetëra punëtorë, por edhe se nuk plotësohen kërkesat e tyre për rritje të pagës, K-15 dhe stazh të beneficuar.
Protestuesit paralajmëruan drejtoreshën e Higjienës Komunale Shkup që derisa nuk kthehen në punë kolegët dhe nuk plotësohen kërkesat e tyre, ata nuk do të dalin në terren t’i mbledhin mbeturinat.
Kështu, si pasojë, me ditë të tëra Shkupi kundërmon nga era e keqe, sakaq ka marrë pamjen e deponisë së mbeturinave.
Solidariteti i protestuesve me spitalet
Pavarësisht revoltës së madhe, punonjësit e Higjienës Komunale treguan dhembshuri dhe solidaritet ndaj institucioneve shëndetësore në territorin e qytetit të Shkupit.
Punëtorët kanë vendosur që vetëm mbeturinat e spitaleve të mbledhen, duke përfshirë vetëm Spitalin e Qytetit, Qendrën Klinike, “8 Shtatorin” dhe “Bukureshtin”.
Ndërhyrja e policisë
Drejtoresha e Higjienës Komunale, Kosana Mazneva, rreth orës 1 të mëngjesit, me asistencë policore erdhi për t’i lutur punëtorët që të dalin t’i pastrojnë rrugët, megjithatë punëtorët njëzëri refuzuan që të dalin në terren pa u plotësuar kushtet. Ajo u ndesh drejtpërdrejt me punëtorët, të cilët deri sot ka refuzuar t’i takojë.
Kështu, meqë punëtorët nuk iu bindën drejtoreshës për t'i pastruar mbeturinat, ajo provoi që nëpërmjet personave të tretë dhe me ndihmën e policisë të lëshojë në terren disa kamione për pastrim, gjë që hasi në rezistencë të madhe të protestuesve.
Iniciativa e komunave për pastrim
Të indinjuar nga situata e krijuar me mbeturinat, disa nga kryetarët e komunave të Shkupit kanë marrë iniciativë që të dalin në terren me kamionët komunalë për pastrimin e rrugëve.
Pas pastrimit të rrugëve, kamionët komunalë hasën në pengesë që të zbrasin mbeturinat në deponinë e Drisllës, e cila gjithashtu është nën kompetenca të qytetit të Shkupit, me arsyetimin se një gjë të tillë mund ta bëjë vetëm Higjiena Komunale e qytetit.
Në fund, me rekomandim të kryetarëve të komunave të ndryshme kamionët komunalë hodhën mbeturinat para dyerve të deponisë Drislla.