Greqia ka thënë se do të ndalojë shitjen e programeve “spyware” pasi gazeta e krahut të majtë Documento publikoi një listë me më shumë se 30 persona të shquar, telefonat e të cilëve thuhet se ishin të infektuar me malware Predator (përgjoheshin).
“Ne do të vazhdojmë me një ndalim universal për shitjen e softuerit të paligjshëm në Greqi, një akt që do ta bëjë Greqinë vendin e parë në Evropë që ndalon qarkullimin e softuerëve me qëllim të keq në territorin e saj,” u tha gazetarëve zëdhënësi i qeverisë Giannis Oikonomou në një konferencë për shtyp të hënën, duke shtuar se një projektligj do të paraqitet së shpejti në parlament.
Në lajmin e publikuar në gazetën “Documento”, pretendohej se në Greqi janë përgjuar 32 emra të rëndësishëm nga politika, media dhe bota e biznesit. Lista përfshinte gjithashtu ligjvënës të opozitës kryesore të Syrizës si Olga Gerovasili si dhe gazetarë të shquar.
Në lajm thuhet se u përgjuan edhe kolegë të ngushtë të Mitsotakis dhe rivalë partiakë, si dhe personalitete të opozitës dhe se Mitsotakis ishte plotësisht përgjegjës për skandalin.
Skandali spyware ka tronditur skenën politike greke, duke shkaktuar reagime të forta nga partitë opozitare si dhe nga Bashkimi Evropian.
Kryeredaktori i Documento, Kostas Vaxevanis, vizitoi Gjykatën e Lartë të hënën për të dorëzuar materiale të rëndësishme për akuzat pasi prokurori i Gjykatës së Lartë Isidoros Dogiakos urdhëroi një hetim paraprak për këtë çështje.
Shoqata e gazetarëve shprehu shqetësimin e saj të fortë për zhvillimet e stuhishme në skandalin e përgjimeve, ndërsa në të njëjtën kohë goditi qeverinë Mitsotakis dhe Departamentin e Drejtësisë.
Si filloi skandali?
Më 8 gusht, Mitsotakis pranoi se Nikos Androulakis, kreu i partisë opozitare PASOK-KINAL, ishte përgjuar nga Shërbimi Informativ Kombëtar i Greqisë (EYP), por mohoi të kishte njohuri për operacionin.
Skandali u shfaq për herë të parë më 4 gusht kur Panagiotis Kontoleon, në atë kohë kreu i EYP, i tha një komisioni parlamentar se EYP kishte spiunuar gazetarin financiar Thanasis Koukakis. Pas dhënies së dëshmisë, Kontoleoni dha dorëheqjen.
Një hetim parlamentar filloi pasi Androulakis u ankua te prokurorët e lartë për një përpjekje për të hakuar telefonin e tij celular me spyware Predator.
Partitë opozitare fajësojnë Mitsotakis për skandalin dhe kanë kërkuar që qeveria e tij të mbajë zgjedhje të parakohshme, diçka që ai e kundërshton.
Komisioni Evropian dhe Parlamenti Evropian po monitorojnë nga afër zhvillimet në lidhje me skandalin.
Mitsotakis: Programet e spiunazhit janë problemi i Evropës
Kryeministri i Greqisë, Kyriakos Mitsotakis, deklaroi se programet "spyware" janë problem edhe në vendet e tjera evropiane dhe se përdorimi i tyre do të ndalohet në Greqi.
Në një deklaratë për Bloomberg, Mitsotakis mohoi pretendimet e gazetës "Documento" se telefonat e personave të njohur nga politika, media dhe biznesi në Greqi janë përgjuar.
"Ne kemi një problem me programet e paligjshme spyware në Evropë. Nuk është vetëm problemi i Greqisë. Ne e kemi parë këtë në shumë vende evropiane dhe ne kemi nevojë për një rregullore për të zgjidhur problemin në mbarë Evropën. Shpresoj që Greqia të jetë vendi i parë në Evropë brenda muajit të ardhshëm. Ne do të ndalojmë të gjitha programet e paligjshme spyware që mund të shiten në Greqi", tha Mitsotakis.