Skandali i përgjimeve në Greqi është më i madh se skandali Watergate në SHBA, sipas raportueses së Komitetit Hetimor të Parlamentit Evropian për softuerin spiun Pegasus dhe softuerëve të tjerë të spiunazhit (spyëare), njoftuan mediat lokale të enjten.
"Megjithëse, qeveria konservatore e Nea Dimokratia (ND) pretendon se nuk ka asnjë provë të prekshme që vërteton se ajo ishte e përfshirë në përgjimin e dhjetëra politikanëve, biznesmenëve dhe gazetarëve, prova ka", tha Sophie in 't Veld, raportoi e përditshmja "Avgi", duke cituar transmetuesin publik gjerman DW.
"Duke pasur parasysh se asnjë figurë e shquar që pretendohet se është përfshirë ose që ka orkestruar operacionet e përgjimit që dëshmojnë sot e kësaj dite, është në interesin më të mirë të qeverisë që të hetojë akuzat, të cilat mbështeten në prova", tha ajo.
Ajo tërhoqi vëmendjen se edhe zyrat e Intellexa, kompania që tregtonte spyware-in izraelit Predator që u përdor në operacionet e përgjimit në vend, nuk u kontrolluan nga policia.
Skandali i përgjimit
Më 8 gusht, kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis pranoi se politikani i opozitës Nikos Androulakis ishte përgjuar nga agjencia e inteligjencës greke, por mohoi të kishte njohuri për operacionin.
Skandali doli për herë të parë më 4 gusht, kur Panagiotis Kontoleon, në atë kohë kreu i Shërbimit Informativ Kombëtar (EYP), deklaroi para Komisionit parlamentar se Agjencia e Inteligjencës kishte spiunuar gazetarin financiar, Thanasis Koukakis.
Më 5 gusht, Kontoleoni, së bashku me sekretarin e përgjithshëm të zyrës së kryeministrit, Grigoris Dimitriadis, dhanë dorëheqje.
Hetimet parlamentare filluan pasi Androulakis u ankua te prokurorët e lartë për një përpjekje për të hakuar telefonin e tij celular me softuerin e spiunazhit Predator.
Kohët e fundit, "Documento" publikoi një listë me 33 persona të dyshuar të spiunuar nga EYP me urdhër të drejtpërdrejtë nga Dimitriadis, duke përfshirë ministrin e Jashtëm Nikos Dendias, zëvendës ministrin e Mbrojtjes Nikos Hardalias, ministrin e Zhvillimit Adonis Georgiadis, ministrin e Punës Kostis Hatzidakis, ministrin e Financave Christos Staikouras, ish-kryeministrin Antonis Samaras, ish-ministrin e Rendit Publik Michalis Chrysochoidis dhe ish-këshilltarin e Sigurisë Kombëtare, Alexandros Diakopoulos.
Partitë opozitare për skandalin fajësuan Mitsotakisin dhe kërkuan që qeveria e tij të shpallë zgjedhje të parakohshme, gjë të cilën ai e kundërshton.
Komisioni Evropian dhe Parlamenti Evropian po monitorojnë nga afër zhvillimet në lidhje me skandalin.
Abuzimi me spyware minon demokracinë
Komiteti i Parlamentit Evropian më 8 nëntor e prezantoi raportin draft mbi dyshimet për keqpërdorimin e një softueri mercenar izraelit Pegasus nga qeveritë e disa vendeve anëtare të BE-së për të spiunuar qytetarët e vet.
“Abuzimi me spyëare nuk cenon vetëm të drejtën e privatësisë së individëve. Ajo minon demokracinë dhe institucionet demokratike fshehurazi. Hesht opozitën dhe kritikët, eliminon llogaridhënien dhe ndikon mbi shtypin e lirë dhe shoqërinë civile. Shërben edhe më tej për të manipuluar zgjedhjet”, thuhet në raportin e përgatitur nga komiteti PEGA i Parlamentit Evropian.
Eurodeputetja holandeze dhe raportuese e komitetit PEGA, Sophie in ‘t Veld, gjatë prezantimit të raportit draft tha se të paktën 4 shtete anëtare të BE-së – Greqia, Spanja, Hungaria dhe Polonia – kanë përdorur softuerin Pegasus ose versionin më pak të sofistikuar Predator për të spiunuar qytetarët, kundërshtarët politikë dhe gazetarët në vendet e tyre.
“Manipulimi i zgjedhjeve kombëtare me keqpërdorimin e softuerit, ndikon drejtpërdrejt në përbërjen e institucioneve të BE-së dhe balancit politik në strukturat e BE-së. Katër ose pesë qeveritë, të akuzuara për abuzimin e softuerit, përfaqësojnë gati 1/4 e popullsisë së BE-së, kështu që kanë peshë të konsiderueshme në Këshillin Evropian”, thuhet në raport.
25 Nën 2022
Skandali i përgjimeve në Greqi më i madh se Watergate në ShBA
Më 8 gusht, kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis pranoi se politikani i opozitës Nikos Androulakis ishte përgjuar nga agjencia e inteligjencës greke, por mohoi të kishte njohuri për operacionin.
TRT Balkan / agjencitë
Lajme të ngjashme
Artikujt në këtë kategori
Fico-Vuçiq në Beograd: Sllovakia dhe Serbia mund të mbështeten mes vete
"Serbia me të vërtetë e meriton ndihmën e Bashkimit Evropian në këtë fushë sepse është kërkuese dhe e kushtueshme", tha Fico dhe shtoi se Serbia e ndihmoi dhe po e ndihmon BE-në në migrim në atë mënyrë që pak vende të tjera mund ta bënin.
Çfarë tjetër do të donit të dinit?
Popullore