Sllovenia mban raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale / Foto: AA

Qytetarët sllovenë sot po shfrytëzojnë të drejtën e tyre të votës për raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale. Raundi i parë i zgjedhjeve presidenciale u mbajt më 23 tetor dhe sllovenët sërish votojnë pasi asnjë nga kandidatët nuk ka fituar mbi 50 për qind të votave në raundin e parë. Mbi 1,6 milion votues të regjistruar mund të votojnë nga ora 7:00 e mëngjesit deri në orën 19:00 në kutitë e votimit të hapura në të gjithë vendin. Në blaotazh përballen ish-ministri i jashtëm i qendrës së djathtë Anze Logar dhe kandidatja e pavarur femër Natasa Pirc Musar, e mbështetur nga Partia e Gjelbër Evropiane. Sllovenët do të zgjedhin presidentin e pestë që nga shpallja e pavarësisë në vitin 1991. Dy kandidatët fituan më shumë vota në mesin e shtatë pretendentëve dhe kaluan në raundin e dytë që do të mbahet më 13 nëntor, tha Komisioni Shtetëror Zgjedhor i Sllovenisë në një deklaratë pas raundit të parë të zgjedhjeve. Në raundin e parë Logar fitoi 33 për qind të votave, ndërsa Pirc Musar 26 për qind. Një tjetër kandidat që ishte favorit, socialdemokrati Milan Brglez, i mbështetur nga kreu i Lëvizjes për Liri dhe kryeministri Robert Golob, mori 15 për qind të votave dhe sinjalizoi mbështetje për Pirc Musar në raundin e dytë. Rreth 50 për qind e mbi 1,6 milion votuesve të regjistruar votuan në raundin e parë.

AA