Ministri i Mbrojtjes i Bosnjës e Hercegovinës, Zukan Helez, nënshkroi të enjten Marrëveshjen për dhurimin nga programi i NATO-s për Ndihmën në Ndërtimin e Kapaciteteve të Mbrojtjes (DCB) me Republikën e Sllovenisë.
Marrëveshja lidhet me dhurimin e automjeteve të specializuara për terren për Forcat e Armatosura të Bosnjë e Hercegovinës, për një projekt përmirësimi të aftësive të policisë ushtarake në kuadër të Grupit të Batalionit të Këmbësorisë së Lehtë të Forcave të Armatosura të Bosnjë e Hercegovinës.
Vlera e automjeteve me pajisjet e plota është rreth 1.3 milion KM (650,000 euro). Gjithashtu, kjo është dhurata e parë e mjeteve materiale për Forcat e Armatosura të Bosnjë e Hercegovinës nga lista e programit të ndihmës të NATO-s (DCB).
Para nënshkrimit të Marrëveshjes, ministri Helez mbajti një takim me delegacionin e Republikës së Sllovenisë, ku morën pjesë Damijan Serdar, ambasadori i Republikës së Sllovenisë në BeH, brigadieri Burgar Tadej, atasheu ushtarak i Republikës së Sllovenisë për BeH dhe nënkoloneli slloven Boštjan Lesjak, i cili është gjithashtu shefi i departamentit teknik-ushtarak këshillimor në shtabin e NATO-s në Sarajevë.
Helez falënderoi për ndihmën dhe mbështetjen që ky shtet ka ofruar për Ministrinë e Mbrojtjes dhe Forcat e Armatosura të Bosnjë e Hercegovinës gjatë periudhës së kaluar, duke theksuar se Sllovenia dhe NATO janë miq të dëshmuar të Bosnjë e Hercegovinës.
"Veçanërisht theksoj se ky është projekti i parë nga iniciativa e NATO-s në kuadër të DCB që do të realizohet plotësisht me ndihmën e shtetit mik Sllovenia dhe NATO. Jam falënderues për qeverinë e Sllovenisë", tha Helez.
Ministri shtoi se brenda dy muajsh, automjetet e specializuara për policinë ushtarake do të dorëzohen në Bosnjë e Hercegovinë, dhe gjatë kësaj periudhe, anëtarët e policisë ushtarake, të cilët do të drejtojnë këto automjete të specializuara, do të kalojnë trajnimin e nevojshëm.
Brigadieri Tadej theksoi se dhurata është një dëshmi e bashkëpunimit të mirë dhe miqësor midis dy vendeve. Ai gjithashtu theksoi se dy vendet do të vazhdojnë të punojnë në projekte të përbashkëta.
Ambasadori Serdar tha se ishte i lumtur për ceremoninë e sotme dhe se pajisjet e dhuruara janë një dëshmi e bashkëpunimit konkret midis Sllovenisë dhe Bosnjë e Hercegovinës.
"Na nderon dhe na bën krenar fakti që anëtarët e Forcave të Armatosura të Bosnjës e Hercegovinës ndihmuan Slloveninë kur përjetuam përmbytjet. Sa i përket rrugës euroatlantike të Bosnjë e Hercegovinës, Sllovenia gjithmonë ka qenë e zëshme dhe besojmë se ju duhet të jeni në BE dhe NATO", tha ai.