Stabiliteti i Ballkanit Perëndimor, temë e ministrave të Jashtëm të NATO-s.     /Foto: AP

Ministrat e punëve të jashtme të vendeve anëtare të NATO-s u mblodhën në Bruksel për të diskutuar çështjen e Ukrainës, Ballkanit Perëndimor, Kinës dhe Lindjes së Mesme.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, tha se në periudhën e kaluar në rajonin e Ballkanit Perëndimor janë shënuar incidente serioze, tensione të shtuara, retorikë nxitëse, andaj sipas tij NATO-ja duhet të mbetet e fokusuar në rajon.

"Ne kemi parë dhunë serioze në veriun e Kosovës dhe retorikë nxitëse në Bosnjë dhe Hercegovinë, si dhe përpjekje për të mbjellë përçarje duke përfshirë edhe Rusinë. Së bashku me përfaqësuesin e lartë të BE-së do të diskutojmë mënyrat për të për të rritur stabilitetin në rajon. NATO-ja ka shtuar tashmë mijëra trupa shtesë në Kosovë dhe ne po shqyrtojmë një rritje ose prani më të qëndrueshme në Kosovë. Beogradi dhe Prishtina duhet të riangazhohen në dialogun e lehtësuar nga BE-ja, stabiliteti varet nga dialogu dhe diplomacia e të gjitha palëve para konfliktin dhe kaosit”, tha Stoltenberg.

Para nisjes së takimit, duke përshkruar situatën në rajon dhe incidenteve, Stoltenberg u ndal te dhuna e muajve të kaluar në veri të Kosovës ku tha se 93 ushtarë të NATO-s u plagosën gjatë këtyre incidenteve, disa prej tyre madje shumë rëndë.

Në kuadër të takimit dyditor të ministrave, nesër do të mblidhet për herë të parë Këshilli NATO-Ukrainë në nivel të ministrave të jashtëm. Këshilli, i cili u krijua në samitin e NATO-s në Vilnius dhe që mbajti takimin e tij të parë në nivel krerësh shtetesh dhe qeverish, u takua dy herë në nivel ambasadori dhe një herë në nivelin e ministrave të mbrojtjes.

Në takimin ministror merr pjesë edhe ministri i Jashtëm i Suedisë, procesi i anëtarësimit të së cilës në NATO është në proces. Gjithashtu, në një nga seancat në kuadër të takimit do të marrë pjesë edhe Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell.

TRT Balkan