Hapja e Urës së Ibrit që i lidh dy pjesët e qytetit të Mitrovicës, në veri të Kosovës, për automjete duhet të diskutohet dhe të zhvillohet në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi.
Pas kërkesës së Kuvendit Komunal në Mitrovicën Veriore për hapjen e Urës së Ibrit për automjete ka reaguar Bashkimi Evropian duke thënë se çdo vendim që merret me këtë çështje duhet të diskutohet në kuadër të dialogut.
Zëdhënësi i BE-së Peter Stano tha se hapja e urës në Mitrovicë është temë e dy marrëveshjeve brenda dialogut të lehtësuar nga BE-ja nga viti 2015 dhe 2016. Ai shtoi se janë të interesuar të parandalojmë një krizë më shumë. Hapja e urës së Mitrovicës në fakt është temë e dy marrëveshjeve brenda dialogut të lehtësuar nga BE-ja nga viti 2015 dhe 2016, dhe përkundër përpjekjeve tona lehtësuese si Bashkim Evropian, ndër vite, kjo urë mbetet e mbyllur për qarkullim”, tha Stano.
Sipas tij, çdo vendim që lidhet me urën duhet të diskutohet dhe të zhvillohet në kuadër të dialogut. Ai ka paralajmëruar se të gjitha detyrimet e marrëveshjeve në pritje duhet të përmbushen pa vonesë, dhe e njëjta gjë sipas tij vlen edhe për marrëveshjen për urën dhe gjithashtu për marrëveshjen për rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve.
Ndryshe, këshilltarja komunale e Mitrovicës Veriore, Aida Doli, ka kërkuar hapjen e urës kryesore të Ibrit edhe për automjete sa më shpejt. Kuvendi Komunal i Mitrovicës Veriore e ka mbështetur në seancën e së premtes vendimin për hapjen e urës së Ibrit edhe për qarkullimin e automjeteve. Një vendim i tillë fillimisht u ndërmor në prill të vitit 2023.