Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka përmendur Kosovën dhe Bosnjë e Hercegovinën, si dy pika ku potenciali për tensione akoma ekziston.
Ai këto komente i bëri pasi priti në takim kryeministrin e Malit të Zi, Millojko Spajiq.
“Mesazhi është se, të gjitha palët duhet të përmbahen nga retorika nxitëse dhe se integriteti territorial dhe kufijtë e njohur ndërkombëtarisht të Bosnjë e Hercegovinës duhet të respektohen. Ne kemi punuar ngushtë me Bashkimin Evropian, si në Bosnjë e Hercegovinë ashtu edhe në Kosovë. Por, gjithashtu ne me praninë ushtarake në Kosovë mbështesim dialogun e lehtësuar nga BE-ja. Dialogu është e vetmja rrugë përpara për të gjetur një zgjidhje të qëndrueshme”, tha ai.
Kryeministri i Malit të Zi tha se është në interesin kombëtar që të ketë paqe dhe stabilitet në rajon.
“Jemi të gatshëm për të forcuar pozitën tonë në Kosovë. Ne mendojmë se situata është qetësuar kohët e fundit, por, siç e kemi diskutuar, jemi gjithmonë të gatshëm të ndihmojmë. Dhe është në interesin tonë të thellë kombëtar, që ne të ruajmë paqen në Kosovë. E njëjta gjë vlen edhe për Bosnjë e Hercegovinën. Angazhimi ynë i palëkundur ndaj integritetit territorial të Bosnjë e Hercegovinës”, deklaroi kryeministri malazez.
Gjatë takimit thuhet se është diskutuar situata në veri të Kosovës. Me këtë rast Stoltenberg përsëriti se dhuna e vitit të kaluar është e papranueshme për aleancën.
Sipas tij, situata e sigurisë në Kosovë po analizohet rregullisht dhe se aleanca është e gatshme të dërgojë trupa shtesë nëse kjo tregohet e nevojshme.