Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka thënë se siguria e Kosovës është thelbësore për stabilitetin në gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor.
Ai këtë e tha në një fjalim dyminutësh të postuar në rrjetin social X me rastin e fundvitit, në të cilin falënderoi të gjithë aleatët për mbështetjen e tyre, si dhe ushtarët, përfshirë KFOR-in në Kosovë, për “shërbimin e tyre në mbrojtje të paqes”.
"Ndihma për të ruajtur një mjedis paqësor dhe të sigurt për të gjithë në Kosovë është çelësi për stabilitetin e rajonit më të gjerë të Ballkanit Perëndimor," tha ai.
Stoltenberg tha se “ne jetojmë në një botë të rrezikshme”, në të cilën ka një luftë në Evropë, një luftë të re në Lindjen e Mesme, ndërsa tensionet po rriten edhe në Ballkanin Perëndimor.
“Terrorizmi brutal vazhdon dhe ndryshime e klimës shkaktojnë konflikte. Prandaj, nuk ka siguri pa një mbrojtje të fortë dhe nuk ka mbrojtje të fortë pa një forcë të armatosur të aftë. Dhe kjo është arsyeja pse ne kemi ndërmarrë kaq shumë hapa të rëndësishëm këtë vit për të forcuar mbrojtjen e NATO-s me akoma më shumë trupa dhe rritje të shpenzimeve për mbrojtjen. Dhe kjo nuk është për të shkaktuar luftë, por për të parandaluar konfliktin dhe për të ruajtur paqen”, tha Stoltenberg.
Marrëdhëniet mes Serbisë dhe Kosovës u përshkallëzuan me sulmin e një grupi serbësh në fshatin Banjskë, në veri të Kosovës, të udhëhequr nga ish-nënkryetari i Listës Serbe, Millan Radoiçiq.
Gjatë konfliktit u vra një pjesëtar i policisë së Kosovës dhe tre sulmues të nacionalitetit serb.
Radoiçiq në një njoftim publik pranoi se e kishte organizuar këtë sulm, por hodhi poshtë akuzat se këtë e ka bërë me direktivë të Beogradit zyrtar.