Studentët e Fakultetit Juridik të Universitetit të Prishtinës arritën vendin e 3-të më të mirë në botë në mesin e 400 Universiteteve, në garën “Willem C. Vis International Commercial Arbitration Moot”.
“Kjo është gara më e madhe botërore në fushën e së drejtës ndërkombëtare komerciale dhe arbitrazhit dhe kjo arritje e ngre lart punën e studentëve tanë dhe emrin e Universitetit të Prishtinës, si dhe na bën të gjithëve shumë krenarë”, thuhet në njoftimin e Universitetit të Prishtinës të shpërndarë në rrjetet sociale.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e ka cilësuar si historik arritjen e studentëve të UP-së.
“Këto vajza e djem nga Kosova kanë lënë prapa Universitete si Harvardi, Yale, Stanford, Columbia, Oxford, Cambridge, Princeton, Duke, LSE, e qindra universitete të tjera në garën më prestigjoze të drejtësisë, Willem C Vis. Ata po ashtu fituan çmim të veçantë për Memorandumin për palën e paditur”, shkruan presidentja Osmani.
Pjesë e kësaj gare, siç njoftoi UP-ja, ishin profesorët Donikë Qerimi, Ilir Hajraj dhe Art Sylaj, kurse ekipin e studentëve e përbënin Ariana Rexha, Dea Fetiu, Morea Pula, Melisë Sejdiu, Nol Musa dhe Rea Hadri.