Sulmi i mbrëmshëm në stacionin policor në Bosanska Krupa, ku një i mitur vrau një polic dhe plagosi rëndë një tjetër, është cilësuar si akt terrorist.
Këtë e ka konfirmuar për Anadolu Adnan Beganoviq, zëdhënës i Ministrisë së Punëve të Brendshme të Kantonit të Una-Sana.
“Veprimet hetimore kanë përfunduar mbrëmë në orën 00:30. Ushtruesi i detyrës së prokurorit të Prokurorisë Kantonale ka deklaruar se kjo vepër penale ka karakteristikat e nenit 201 të Kodit Penal të Federatës së Bosnjë e Hercegovinës (terrorizëm) dhe po kryhen veprime të mëtejshme në këtë drejtim me qëllim të vërtetimit, përkatësisht të përcaktimit të motivit dhe rrethanave të ngjarjes fatkeqe”, ka thënë Beganoviq.
Ai shtoi se sulmuesi është shtetas i Bosnjë e Hercegovinës dhe është i mitur dhe se në përputhje me ligjin nuk mund të jepen më shumë detaje.
“Ai është privuar nga liria dhe është nën mbikëqyrjen e forcave policore, do t'i dorëzohet prokurorisë për veprime të mëtutjeshme”, ka thënë Beganoviq.
Edhe zëdhënësi i MPB-së ka konfirmuar se polici i lënduar nga sulmi është operuar me sukses mbrëmë në Spitalin Kantonal dhe aktualisht ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Pas sulmit të mbrëmshëm, i cili ndodhi pak pas orës 21:00, niveli i sigurisë është ngritur në shkallë më të lartë në zonën e gjithë kantonit dhe forcat policore në terren janë përforcuar.