Bashkëpunimi i ngushtë mes autoriteteve ligjzbatuese shqiptare dhe atyre në Britaninë e Madhe ka prodhuar rezultate shumë pozitive në luftën kundër migracionit ilegal dhe kundër krimit të organizuar.
Ministri i Brendshëm, Taulant Balla, tha gjatë takimit të Komitetit të Përbashkët Mbikëqyrës me Britaninë e Madhe për luftën kundër emigracionit të paligjshëm dhe fenomeneve të tjera kriminale, ku ishte pjesëmarrëse dhe Kosova se shkëmbimi i informacionit në kohë reale midis strukturave policore dhe bashkëpunimi i ngushtë me SPAK-un i shërben parandalimit dhe goditjes së veprimtarisë kriminale në të dy vendet tona.
“Në bashkëpunimin me agjencitë ligjzbatuese britanike, për vitin 2023, dua të informoj ministrin Sveçla se kemi realizuar 50 operacione riatdhesimi dhe janë deportuar gjithsej 2250 shtetas shqiptarë, për motive nga më të ndryshmet, si: qëndrim ilegal; kultivim të bimëve narkotike; refuzim azili; falsifikim dokumentacioni; vjedhje apo vepra të tjera kriminale. Për vitin 2024, kemi kryer deri tani 9 operacione me 1108 shtetas të riatdhesuar”, nënvizoi Balla.
Ministri shqiptar deklaroi se palëve iu lind detyrë, të punojnë shpejt e fort, për të pasur rezultate pozitive për ndalimin e emigracionit të paligjshëm të shtetasve shqiptare drejt Britanisë së Madhe.
Nga ana tjetër koordinatori Special i Qeverisë britanike për Emigracionin e Paligjshëm, Stuart Skeates deklaroi se me kënaqësi ka pranuar ftesën e mikut dhe homologut të tij, ministrit Balla, për të bashkuar forcat që të rezultojnë suksesshëm në përpjekjet e përbashkëta për luftimin dhe frenimin e migrimit të parregullt.
“Policitë tona gëzojnë bashkëpunim të shkëlqyer ku përveç fushave specifike përfshihet edhe bashkëpunimi i përbashkët operacional, patrullimet e përbashkëta për luftën ndaj çdo lloj ilegaliteti ndërkufitar. Tek sa kemi krijuar lehtësira për kalimin kufitar midis dy vendeve tona, angazhohemi për kufij të sigurt për vendet tona dhe vështirë të kalueshme për individë apo grupe kriminale që cenojnë sigurinë e vendeve tona”, ka deklaruar Stuart Skeates.
Kjo konferencë e radhës e mbajtur në Tiranë është vijimësi e takimit të mbajtur në shtatorin e kaluar në kuadër të Procesit të Berlinit për Çështjet e Brendshme, dhe synon reflektojë mbi qasjet gjithëpërfshirëse dhe të orientuara drejt zgjidhjeve për të menaxhuar në mënyrë efektive migracionin në Ballkanin Perëndimor dhe për të parandaluar kontrabandën e migrantëve dhe trafikimin e qenieve njerëzore.