Makineri për prodhimin e qumështit iu dhuruan 45 fermereve në Kosovë në kuadër të projektit “Mbështetja e Grave Fermere në Zonat Rurale” nga Agjencia Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim-TIKA, në bashkëpunim me Shoqatën e Prodhuesve të Qumështit të Kosovës.
Koordinatorja e TIKA-s në Prishtinë, Fulya Aslan, përfaqësues të Shoqatës së Prodhuesve të Qumështit të Kosovës dhe prodhues të qumështit morën pjesë në ceremoninë e shpërndarjes së mbajtur në fshatin Terpezë të Komunës së Malishevës.
Koordinatorja e TIKA-s, Aslan, tha për Anadolu se në kuadër të projektit “Mbështetja e Grave Fermere në Zonat Rurale”, sot kanë shpërndarë makina mjelëse, kontejnerë për transportin e qumështit dhe komplete materiale higjienike për 45 fermere gra nga komunat e Malishevës, Vushtrrisë dhe Gjakovës.
Aslan tha se gratë përbëjnë forcën kryesore të punës në sektorin e bujqësisë dhe blegtorisë.
“Për këtë arsye, dua të them se si TIKA, ne i kushtojmë rëndësi të veçantë mbështetjes së fermereve në këtë fushë. Ne synojmë të rrisim cilësinë dhe efikasitetin e prodhimit të qumështit në sektor me materialet që do të shpërndajmë sot. Në të njëjtën kohë, ne synojmë të sigurojmë higjienën dhe rrjedhimisht sigurinë ushqimore”, tha ajo.
Aslan shtoi se synojnë të kontribuojnë në ekonominë e Kosovës në afat të gjatë me projektet që i realizojnë.
Gratë fermere kosovare që morën makineritë shprehën mirënjohjen e tyre për popullin turk dhe TIKA-n.